Nga Foltorja e Lezhës, lideri historik Sali Berisha dha lajmin se jo vetëm që padia e tij ndaj sekretarit Antony Blinken është pranuar, por miqtë e tij e kanë garantuar se dosja ndaj tij nuk ka asnjë provë.
“Foltorja ka ndezur shpresat e shqiptarëve, zemrat e tyre, dhe ne do zotohemi se do marrin të gjitha fund. Ne Shqipërisë do i garantojmë zhvillim të pandalshëm, integrim, treg pa monopole dhe oligarkë, konkurrencë të ndershme. Por për të realizuar këto, duhet të ngremë shtëpinë tonë të shembur, të ngrihemi ne si PD. Edi Rama ia doli, siç më thoshte një ditë një kryetar grup-seksioni nga Puka: Ai mori këto 8 vite çdo institucion sepse ia dha Lulzim Basha nga paaftësia e tij për ta penguar, dhe së fundmi mori edhe kreun e PD. Kjo është e vërteta.
Duhet të shtrojmë një pyetje: cilën betejë fituam ne demokratët gjatë këtyre 8 vitesh? A e dini se sot janë dhjetëra e qindra djem trima të Lezhës në procese politike dhe nuk pyet askush për ta? A nuk shpalli kryetari mbrojtjen e votës si zotimin e tij më solemn? Çfarë mbrojtje i bëri votës ai? Përkundrazi, Rama plaçkiti në vitin 2021 vota dy herë më shumë se në vitin 2017. Sepse e dinte se me kë kishte të bënte. Sepse nuk e vinte askund në kanar.
Më 27 prill, në vend që të ftonte demokratët e Lezhës dhe mbarë Shqipërisë në Lezhë për t’u përballur për votën e lirë, mendonte për karrigen e tij. Ndaj ne sot jemi të poshtëruar nga humbja në humbje. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të vinte sanksione që opozita nuk i pretendon,” tha Berisha.
“Duan ta paraqesin Foltoren si një interes personal të Sali Berishës. Të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time ‘non grata’. Absolutisht është e pavërtetë dhe ia faktoj cilitdo. Atë vendim, duke e pasur të qartë se është i bazuar vetëm në shpifje, Sali Berisha e mbajti kryekëput personal dhe iu drejtova gjykatës në Paris. Padita për shpifja zotërinë që firmosi vendimin. Kam kënaqësinë t’u them ju sot, që jo vetëm gjykatësi e ka pranuar shqyrtimin e padisë sime, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente, zero prova, ashtu siç u kam thënë unë ju. Megjithatë unë ftoj Sekretarin e Shtetit dhe çdo shtetar të atij vendi dhe mbarë botës, që çdo fakt apo dokument që do ketë, ta çojë në sallën e gjyqit në Paris,” theksoi Berisha.