Në një intervistë për Zërin e Amerikës, nga SHBA, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi iu përgjigj kryedemokratit Lulzim Basha i cili e cilësoi presidenti Ilir Meta pjesë e trekëndëshit të Bermudës, duke e grupuar me Berishën dhe Ramën. “Për mua asgjë e re nga fronti i lindjes”, u shpreh Kryemadhi.
Djegien e mandateve nga ana e opozitës, ajo e cilësoi një lojë të rrezikshme që cënoi demokracinë dhe solli shpërnguljen në masë të të rinjve dhe të rejave.
“Djegia e mandateve ishte një lojë e rrezikshme që cënoi demokracinë dhe solli shpërnguljen në masë të të rinjve dhe të rejave. Duhet të punojmë të gjithë për vendin tonë. Sot pika më kulmore dhe më e rëndësishme, është t’u japim shpresë të rinjve dhe të rejave”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo komentoi edhe deklaratën e presidentit Ilir Meta para zgjedhjeve, që do të kthehet në krye të LSI në përfundim të mandatit të kreut të shtetit, duke theksuar se kushdo është i mirëpritur për t’u kthyer në LSI, për të kontribuar në forcimin e demokracisë.
“Nuk mund të them sa i përket kësaj gjëje. Di të them që LSI mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë”, theksoi ajo.
Kryemadhi foli për rolin e LSI, sot e cila ka një numër të vogël deputetësh në parlament dhe pa grup parlamentar.
“Sot një nga problematikat më të mëdha që ka jeta politike shqiptare nga zbatimi i rregullores në parlament është në udhëkryq të jashtëzakonshëm. Roli i LSI nga një mekanizëm kontrollues që mbante balancë mes dy ekstremeve të mëdha, tashmë ky mekanizëm që ruante balancë qoftë për reformën në drejtësi, apo edhe në 8 ligjet e saj.
Sot jemi në një aspekt komplet tjetër ku flasim me tallje me qytetarët shqiptarë. Kryeministri flet për ujin e pijshëm. LSI e sheh veten duke vazhduar misionin e saj. Kauza e opozitës deri në zgjedhjet e 2021, ajo që dua të them që LSI vazhdon të qëndrojë. Javën që kaloi dorëzova padinë e tretë për inceneratorin e Fierit. Kemi denoncime të tjera”, tha Kryemadhi.