Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Beogradi se “Ballkani i hapur” është një proces që sjell vetëm përfitime, por shtoi ai, “nuk bëj asnjë përpjekje për t’u imponuar, pasi është vendimi sovran i atyre që kanë marrë votën dhe kanë mandatin për të vendosur në Kosovë”.
Gjatë qëndrimit të tij në Beograd në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”, Rama zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë që ndoqën këtë aktivitet.
Rama shprehu bindjen se “Ballkani i hapur” do të jetë ndër faqet e ndritura të historisë dhe jo në të errëtat e historisë”.
Kryeministri tha se “Ballkani i hapur” ka qenë një domosdoshmëri kohë më parë dhe është njësia e zbatimit të Procesit të Berlinit, por i marr në dorëzim nga vetë ne, për të bërë realitet ato që në këtë proces mbetën pjesë e deklaratave.
Rama tha se “ky është një proces i imponuar nga domosdoshmëria për të rritur kapacitetet ekonomike të vendeve tona”.
Duke folur për qëndrimet e Kosovës ndaj kësaj nisme, Rama tha se “Ballkani i hapur’ nuk është çelësi magjik, por është proces që ndihmon në këtë moment”. “Ne kemi një konflikt të trashëguar nga lufta që dueht ta zgjidhim dhe në këtë pikë nuk ka asnjë ndryshim mes Shqipërisë dhe Kosovës. Imagjinoni se çfarë është arritur, ndërkohë që deri shumë vite më parë nuk bëheshin dot as takime të nivelit të katërt mes përfaqësuesve nga Kosova dhe Serbia. Sot Serbia thotë: ‘uluni, jeni të mirëpritur”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo është një arritje shumë e madhe për shqiptarët dhe për Kosovën që është rezultat i politikës tonë të jashtme për ta çuar rajonin në këtë rrugë”.
“Pak por e sigurt që ky proces sjell vetëm të mira. Ta refuzosh këtë proces do të thotë thjesht dhe vetëm t’i mohosh vetes dhe vendit të mirat që sjell procesi”, tha Rama.
Lidhur me kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, Rama tha se “Ballkani i hapur” ka mundësuar që ne të kemi realitet atë që prej vitesh është premtuar për të hequr kufirin”. “Nuk hiqet dot kufiri në konflikt të hapur me Serbinë, se jo Serbia, por ngrihet Washingtoni dhe Brukseli dhe thonë Shqipëra e madhe”, tha Rama.
Rama tha se “situata është larg së qeni ideale për shkak të mosnjohjes së Kosovës, por ama edhe tensionet më të larta kur ngrihen, sot bien më shpejt se disa kohë më parë”.
Ne, tha Rama, “duhet të punojmë për të ardhmen dhe të vendosim me çdo kusht në një nivel tjetër marrëdhëniet në këtë rajon”.
“Sot edhe pa ‘Ballkanin e hapur’ ndodhin ndërveprime në territor. Fermerët, prodhuesit shqiptarë kanë vite që eksportojnë në Serbi. Ajo që ne duam është që atyre t’u heqim barrën e tmerrshme të presionit të kufijve dhe burokracisë”, tha Rama.
Po ashtu, ai theksoi se “me ‘Ballkanin e hapur’ rritet interesi për investime të huaja në Ballkan, duke pasur garancinë e paqes dhe garancinë e një hapësire më të madhe tregu për atë që investon”.
“Ndikimi pozitiv i gjithë këtij ndërveprimi shtrihet në të gjitha shoqëritë dhe mosnjohja e Kosovës nga Serbia zgjidhet me më shumë lehtësi. Ne kemi me Kosovën një marrëdhënie speciale që nuk varet nga ‘Ballkani i hapur’. Nuk ka nevojë për diskutim, ne do të bëjmë çmos që ta kemi sa më cilësore në aspektin e gjithë çështjeve që lidhen me ndërveprimin ekonomik e tregtar mes dy vendeve. Por është një marrëdhënie bilaterale mes dy ekonomive të vogla. ‘Ballkani i hapur’ është ndërveprim multirateral në një hapësirë më të madhe, është komplet gjë tjetër”, tha Rama.
Por, Kryeministri shtoi se “unë nuk bëj asnjë përpjekje për t’u imponuar”. “Është vendimi sovran i atyre që kanë marrë votën dhe kanë mandatin për të vendosur në Kosovë, nuk është përgjegjësi dhe as e drejta ime të ndërhyjë në atë proces. Unë nuk kam degë të PS-së në Kosovë”, shtoi Rama.
Ai theksoi se “e ardhmja nuk është izolimi dhe bunkerizimi apo ngritja e kështjellave buzë Adriatikut apo në majë të bjeshkëve”. “E ardhmja ësht liria e lëvzjes së njerëzve, mallrave e shërbimeve si pjesë e BE-së. Por për sa kohë BE nuk është gati dhe është me halle të mëdha të brendshme këto ndërveprime mes njerëzve ndodhin, janë procese që shkojnë paralelisht”, tha Rama.
Rama shtoi se “nëse duan vërtetë ta bëjnë Serbinë të kërkoj falje, duhet të kemi një strategji dhe të kuptojmë si shkohet deri te njohja dhe pastaj te falja”. “Sepse ‘o kështu si them unë, o s’ka në botë’, mbetesh vetëm. Në paqe kjo nuk funksionon, në luftë po. Kosova e fitoi luftën dhe Serbia e ka humbur luftën, por tan Kosova duhet të fitojë paqen. Kosova po humbet paqen, ky është fakt i dhimbshëm”, tha Rama.
Ndërkohë, ai theksoi se “nuk ka shance të largohet Maqedonia e Veriut nga ‘Ballkani i hapur’, përkundrazi të tjerë do të vijnë”./ATSH/