Ylli i xhudos, Majlinda Kelmendi, është quajtur me shumë emra: ambasadore, heroinë, simbol i shpresës.
Të gjithë titujt që ia kanë dhënë asaj kanë një peshë të madhe dhe kur merret parasysh vlera e arritjeve të Kelmendit dhe ndikimi që ato pushtime kanë pasur në botë dhe në ata që e shikonin atë, mund të kuptoni pse është quajtur ashtu. Gjatë karrierës së saj, kosovarja u bë dy herë kampione e botës; pushtoi kontinentin për t’u bërë katër herë kampione evropiane dhe në një seri dominimi të plotë, ajo fitoi katër herë titullin më garën e famshme të Grand Slamit të Parisit. Ishte xhudistja e shpallur më e mira në botë në vitin 2017.
Kelmendi konsiderohet gjerësisht si një nga garueset më të mëdha të sportit të saj ndonjëherë. Por, ndoshta xhevahiri i vërtetë dhe i ndritshëm në kurorën e saj erdhi në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ku ajo u bë fituese e medaljes së artë dhe e para për vendin e saj që e arriti këtë sukses.
Përkundër fitoreve të saj të shumta, xhudistja tha për “Olympics.com” se lufta e saj më e madhe në karrierë nuk ishte me kundërshtaret në tatami, por me trupin e saj.
Një seri shkatërruese lëndimesh dhe operacionesh të mëvonshme e shtynë xhudisten në kufirin absolut, derisa ajo vendosi se nuk mund të vazhdonte më me ankthin mendor që po i shkaktonte e gjithë kjo.
Kelmendi tregon rrjedhën e ngjarjeve që sollën pensionimin e saj dhe se si ajo ende po punon për ta përpunuar një vendim kaq të lidhur me dhimbje dhe krenari.


