Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “pagat e Forcave të Armatosura do të rriten me 30 % në vitin 2022”, ndërsa theksoi se ambicia është që brenda mandatit të tretë Shqipëria të jetë diku në mes të nivelit të pagave që kanë vendet e NATO-s.
Gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Ministrinë e Mbrojtjes, Kryeministri Rama siguroi se “vitin tjetër do t’i rrisim përsëri pagat”.
“Sot ndjehem i lehtësuar pasi vij para jush me një zotim të mbajtur për një rritje të konsiderueshme të pagave. Nuk është e para që bëjmë pas një periudhe shumë të gjatë kur, Forcat e Armatosura mbetën shumë mbrapa në raport me të tjerët në aspektin e nivelit të pagave, por kjo është një rritje e konsiderueshme”, tha Rama.
Rama tha se “nuk ka asnjë arsye që Forcat e Armatosura, për energjinë, sakrificën dhe vlerën e shtuar që krijojnë dhe për potencalin që kanë për të rritur në mënyrë të vazhdueshme kapacitetet e tyre profesionale, të jenë mbrapa nga shumë vende të Aleancës”.
“Këtu nuk bëhet fjalë për vende të fuqishme, por jemi mbrapa shumë vendeve të tjera. Me këtë rritje pagash ne nuk kemi më ushtrinë më të pakpaguar në NATO, si fillim. Nuk jemi as në krye, nuk jemi as në mes, por nuk jemi më të fundit. Ky është hapi i parë. Ambicia është që brenda mandatit të tretë ne të jemi diku në mes. Besoj se mund t’ia arrijmë dhe jam i bindur se së bashku do t’ia arrijmë. Kam parasysh atë që do të marrim mbrapsht nga ky investim, pasi kjo është rritja më e lartë e pagave për FA”, tha Rama.
Duke iu drejtuar ushtarakëve shqiptarë, Kryeministri theksoi se “kjo vjen si rezultat i asaj që keni dhënë dhe i faktit se e keni nderuar Shqipërinë. Në këtë mënyrë e keni vendosur qeverinë në një pozicion të vështirë për të gjetur mundësinë që, pavarësisht se nuk ka asnjë rritje pagash sot që flasim në vendet e NATO-s, apo vështirësive specifike që ne kemi nga goditja e tërmetit dhe kriza energjetike, ne rrisim pagat. Atëherë është e drejtë që ne të presim që nga këto investime të merituara plotësisht të marrim mbrapsht edhe më shumë për vendin”.
Kryeministri shtoi se “pavarësisht se Forcat e Armatosura në numër janë modeste, dhe prania e tyre jashtë është modeste, le ta rrisim me cilësi atë reputacion që sot e kanë vërtetë të mirë”.
“Ushtria shqiptare duhet të bëhet një model për se si një vend i vogël ia del të ketë një forcë ushtarake model në çdo pikëpamje”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se financimet dhe adresimi i nevojave të Forcat e Armatosura do të vijnë duke u rritur vit pas viti.
“Nuk do të ketë një vit që nuk do të rriten pagat tuaja, për të arritur atë që thashë, që të mos keni vështirësi kur shkoni në misione jashtë dhe të jeni me kolegë që bëjnë të njëjtën punë dhe ju ndan një hendek shumë i madh pagash”, tha Rama.