Duke pasur parasysh numrin në rritje të migrantëve në kufirin e jashtëm lindor të Bashkimit Evropian, një numër shtetesh perëndimore i kanë kërkuar Bjellorusisë që t’i japë fund ngërçit me migrantët që përpiqen të arrijnë në BE nga ish-republika sovjetike.
”Udhëheqësi bjellorus, Aleksander Lukashenko po instrumentalizon njerëzit për të destabilizuar vendet fqinje dhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian”, theksuan në një deklaratë të përbashkët SHBA, Britania e Madhe, Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria, pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.
”Ne dënojmë shfrytëzimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jetët dhe mirëqenia e të cilave janë rrezikuar për qëllime politike nga Bjellorusia, me synimin për të destabilizuar vendet fqinje dhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në deklaratë.
“Kjo taktikë është e papranueshme dhe kërkon reagim dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar për ta konsideruar Bjellorusinë si përgjegjëse. Ajo tregon se si regjimi i Lukashenkos është bërë një kërcënim për stabilitetin rajonal”, shtohet në të.
Lukashenko akuzohet se ka ndihmuar migrantët, shumica e tyre nga Lindja e Mesme, për të arritur në zonën kufitare me BE.
Autoritetet polake refuzojnë t’i lejojnë ata të hyjnë në territorin e BE-së./ATSH/