Heroi i Kupës së Botës, Jose Luis “Tata” Brown, ka vdekur në moshën 62-vjeçare, në La Plata, në vendlindjen e tij në Argjentinë.
Ish-mbrojtësi i famshëm i bardhekaltërve kishte qenë duke luftuar më sëmundjen “Alzheimer’s” që një kohë të gjatë. Familja e kishte zbuluar gjendjen shëndetësore të ish-qendërmbrojtësit vetëm së fundi .
Brown, i cili gjatë karrierës së tij u bë i njohur me nofkën “Tata”, e shënoi golin e tij të parë dhe të vetëm për Argjentinën gjatë finales së Kupës së Botës 1986, të cilën Argjentina e fitoi me rezultat 3:2 kundër Gjermanisë Perëndimore.
Afër fundi të ndeshjes, Tata e kishte luajtur nga vendi shpatullën e tij, mirëpo nuk kishte pranuar të zëvendësohet, duke u bërë kështu njëri ndër lojtarët e preferuar të argjentinasve.
Brown luajti në Estudientes, në La Plata, për shumicën e karrierës së tij, duke i bërë rreth 300 paraqitje para se të transferohej në klubin kolumbian, Atletico Nacional. Ky transferim kishte bërë që ai të ftohet për herë të parë në ekipin kombëtar.
Ai luajti për pak kohë në Boca Juniors dhe Deportivo Espanol para Kupës së Botës 1986, mirëpo zgjedhja e tij në skuadrën e Argjentinës për Kampionatin Botëror erdhi si befasi nga trajneri Carlos Bilardo.
Brown ishte zgjedhur vetëm për të qëndruar në stol në rast se ndonjë lojtar lëndohej, mirëpo ai e fitoi një vend në formacionin e parë dhe luajti në çdo ndeshje në rrugëtimin e suksesshëm të Argjentinës në atë Botëror.