“Kosova angazhohet për një dialog parimor, drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në qendër të së cilës është njohja reciproke”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një bisedë telefonike me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas një njoftimi nga Qeveria e Kosovës, të premten biseda mes Kurtit dhe Escobarit ka qenë e përqendruar rreth zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.
“Kryeministri Kurti tha se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO është përcaktues për garantimin paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës. Z. Escobar në anën tjetër tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Kosovën dhe synimet e saj drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në njoftim.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, sipas Qeverisë, Escobari ka thënë se SHBA-ja e mbështet procesin dhe është e përkushtuar të ketë përparim drejt qëllimit final të tij.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë ka ngecur tash e disa kohë, për shkak që pala serbe insiston që të zbatohet Marrëveshja e Asociacionit të Komunave Serbe.