Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri në bashkëpunim me ADZM Korça, vazhdon vendosjen e kamerave kurth për monitorimit e ariut të murrmë në korridoret ekologjike në basenin e Prespës.
Monitorimi i ariut të murrmë (Ursus arctos) është një aktivitet ndërkufitar i cili do të zbatohet për tre vjet në korridoret ekologjike, duke lidhur basenin e Prespës me zona të tjera të mëdha në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe kufirin me Greqinë Veriore.
Qëllimi i këtij aktiviteti është të kuptohet dhe të vlerësohet funksionaliteti i bio-korridoreve të ariut të murrmë dhe të gjitarëve të tjerë të mëdhenj përmes provës së lëvizjes së ariut në zonat e ngushta si pjesë e rrjetit të korridorit ekologjik.
Deri tani, ekipi i PPNEA bashkë me stafin e zyrës lokale, vullnetarë, dy interna dhe stafin e ADZM Korçë, ka përfunduar fazën e vendosjes së kamerave kurth në zonën e përcaktuar për monitorim dhe kontrollin e tyre. Kamerat kurth do të hiqen në dhjetor për të marrë rezultatet e para të këtij sezoni./ATSH/