Ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje krydemokratit Lulzim Basha të mos mbrohet me gardë sepse nuk e prek njeri me dorë. Berisha foli për një kërcënim që Basha i ka thënë se ka marrë para zgjedhjeve. Ai tha se Basha po përdor të njëjtën retorikë dhe tani.
Berisha deklaroi se më 18 Dhjetor do bëhet shkarkimi ceremonial i Bashës në respekt të anëtarësisë që e ka votëbesuar, pasi sipas tij Basha nuk është kryetar as sot.
“Mos u rretho as me gardë dhe as me gangster sepse nuk të prek njeri me dorë. Gjatë fushatës më merr në telefon dhe më thotë më bënë një kërcënim. I them a e mbyllur atë çështje sepse jemi në fushatë sepse kërcënime marrim vazhdimisht. I them mos na u fut në këto punë se na dëmton. Pastaj më thonë që ka thënë një gjë të tillë.
Selia është e demokratëve dhe ashtu si përcaktoi Kuvendi u mor vendimi. Me datë 18 bëhet shkarkimi ceremonial. Do jetë referendumi për respekt të plotë ndaj anëtarësisë që e ka votuar. Me statut nuk i takon. Ti mund të zgjidhesh me votë të përgjithshme popullore, por shkarkimi ndodh në proces gjykatash. Pas kësaj zoti Basha do jetë deputet i thjeshtë i Partisë Demokratike. Basha nuk është më kryetar as sot”, deklaroi Berisha.
Berisha ka thënë se ka patur oferta për heqjen e non grata përmes lobimit.
Berisha tregoi se ka patur edhe kërcënime nga më të ndryshmet, por që të gjitha i ka hedhur poshtë.
“Oferta të shumëllojta. Oferta për të hequr këtë nëpërmjet lobimit se s’ka asgjë në të. Jo. Kam refuzuar. Oferta për të hyrë vetë në heshtje dhe për të lehtësuar familjarët. Jo. Kam refuzuar. Kam refuzuar oferta, kërcënime nga më të turpshmet, të dokumentuara. I kam hedhur poshtë me neveri. E ke dëgjuar kur flet për fëmijët? Gjërat mund të shkojnë të Thesari etj. Le të shkojnë te Thesari. Dëgjoja një zëdhënës të tij në studio, para Kuvendit Basha do të nxjerrë dy gjëra të tmerrshme. Dhe ai tregonte labirinthet e zeza nga të cilat del ai që thoshte një gjë të tillë. Pra, unë nuk kam asnjë lloj lëkundje, s’ka lidhje fare kjo me non grata-n time. Lëvizja që kam ndërmarrë më ka penguar në punën time. Sepse më kushton kohë nga mëngjesi e deri në darkë. Unë po shkruaja edhe vëllime, edhe dokumente, dhe do të bëja atë betejë që më takonte të bëja në mbrojtje të dinjitetit tim. Por nuk kam hequr dorë“, u shpreh Berisha.