Autoritetet franceze kanë identifikuar 26 nga 27 trupat e nxjerrë nga uji, pas fundosjes së një varke me migrantë në Kanalin Anglez, raporton BBC.
16 kurdë nga Iraku dhe katër afganë janë në mesin e viktimave, janë informuar familjet e tyre.
Varka me të cilin po tentohej të arrihej në Britani të Madhe nga Franca është fundosur më 24 nëntor.
BBC ka folur me familjet e Rezhwan Hassan (18) dhe 27-vjeçarit Afrasia Mohammed, të cilët ishin të dy nga qyteti Rania, në rajonin e Kurdistanit në Irak.
Familjet e tyre nuk kishin dëgjuar nga dy burrat që nga katastrofa, duke i lënë në ethe në pritje të lajmeve. Dy shokët kishin paguar mijëra dollarë trafikuesit për t’i ndihmuar që t’i dërgojnë në Britani.
Në fund të tetorit kishin fluturuar për në Bjellorusi, një destinacion i popullarizuar për kontrabanduesit dhe kishin kaluar kufirin për në Bashkimin Evropian para se të arrinin në Francë.
Rezhwan ishte një tavanxhi që po ëndërronte një jetë më të mirë në Britani. Nipi i tij, Dahin Hama, thotë se kishte tentuar ta bindte që të mos largohej.
“Ne ishim si vëllezër; miqësia jonë ishte e fortë. Ai tha se do të emigronte nga Kurdistani. Ai tha se nuk mund të duronte të jetonte këtu dhe se nuk ka më jetë për të jetuar“, tregon Hama.
Natën e fundit që kishte dëgjuar ishte në natën para tragjedisë.
Ministria e Drejtësisë e Francës ka thënë se 26 nga 27 trupat janë identifikuar. Ministria ka treguar se 16 janë kurdë nga Iraku, përfshirë katër gra të moshave nga 22 deri 46 vjeç, një tinejxher 16-vjeçar dhe një fëmijë shtatëvjeçar dhe dhjetë burra të moshave nga 19 deri 37 vjet, si dhe një kurd nga Irani i moshës 23-vjeçare.
Tre etiopianë po ashtu u identifikuan, përfshirë dy gra të moshave 22 dhe 25 vjet dhe një burrë 46-vjeçar.
Po ashtu një somaleze e moshës 33-vjeçare, katër afganë të moshave nga 24 deri 40 vjet dhe një egjiptian i moshës 20-vjeçare.
Asnjë nga gratë e identifikuara nuk ishin shtatzënë.