Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit ka thënë se me pranimin e moratoriumit një vjeçar në Washington është cenuar rendi kushtetues i Kosovës.
Hoti ka pyetur Osmanin se si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, meqë sipas Hotit, e njejta mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se sa disa politikanë dhe bartës të institucioneve në Prishtinë.
“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!”, ka shkruar Hoti.
Hoti thotë se vetëm politikanë me orientime joperendimore mund të thonë dhe mendojnë gjëra të tilla.
“Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla”, ka shtuar Hoti.
“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në.
Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO e jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajtë nga politikanët e papërgjegjshëm”, ka përfunduar Hoti.