Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkon nga reflektim nga Rama dhe Basha. Në një interivstë për emisionin “Kojshia Shoë” në RTV21, kreu i shtetit shqiptar tha se vendit duhet ti jepet një zgjedhje para se të vijë shtatori. Në të kundër sipas tij BE do ta penalizojë Shqipërinë në 18 tetor.
Gazetari: Udhëheqësit politikë pas posteve. Edi Rama? Lulzim Basha? Kështu po vrapojnë, pas karriges.
Presidenti Meta: Ne duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen e këtyre fëmijëve, dhe sidomos atyre të rinjve, që kundër dëshirës së tyre, duan të vrapojnë për t’u larguar nga Shqipëria për arsye se nuk ndiejnë siguri për të ardhmen e tyre dhe se ky konflikt artificial i ka lodhur kaq shumë dhe ua ka vrarë shpresat.
Ky është shqetësimi, alarmi kryesor që duhet t’i bëjë të gjithë, – duke filluar nga kryeministri i pari, dhe padyshim nga zoti Basha dhe përfaqësuesit e opozitës, të dytët, – për të reflektuar dhe për t’i thirrur mendjes, para se në Shqipëri të mos mbeten më njerëz për t’i votuar ata.
Gazetari: Pyetja e fundit për zgjedhjet në Shqipëri. Mendoni se do të ketë trazira?
Presidenti Meta: Shpresoj që në Shqipëri, pas këtyre ditëve të para të gushtit, të ketë reflektim me urgjencësi nga kryeministri Rama, ashtu edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, zoti Basha.
Të punojmë urgjentisht që t’i japim vendit një zgjidhje këto ditë. Të mos presim shtatorin pasi përndryshe do të kemi një dështim të sigurt më 18 tetor dhe një penalizim për vendin tonë, që do të jetë përgjegjësi në radhë të parë e kryeministrit Rama, por së dyti, e kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha dhe e gjithë atyre, të cilët nuk do të tregojnë vullnetin e duhur për një zgjidhje demokratike e gjithëpërfshirëse.
Pa zgjedhje të lira e të drejta, nuk mund të ketë kurrsesi çelje të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Nuk mund të ndryshohen kriteret e Kopenhagës për kapriçot apo për interesat e caktuara të asnjë udhëheqësi shqiptar apo kudo tjetër në këtë rajon.
Kjo besoj se do të jetë shumë e qartë në ditët që vijnë.