Dhjetëra persona kanë mbetur të lënduar e qindra shtëpi janë shkatërruar nga një zjarr i madh i shkaktuar nga erërat në dy qytete pranë Denverit.
Me këtë rast edhe dhjetëra-mijëra banorë janë evakuuar si pasojë e këtij zjarri që dyshohet se ishte ndezur nga linjat e energjisë dhe transformatorët e rrëzuar nga erërat e forta në zonën e përparme të Kolorados.
Sherifi i qarkut Boulder, Joe Pelle, i cili dha vlerësimin e hershëm të dëmit, tha se mund të ketë më shumë lëndime, gjithashtu edhe vdekje, për shkak të intensitetit të zjarreve, të nxitura nga erërat që shpërthyen deri në 105 mph (169 km / orë), raporton AP.
Urdhrat e evakuimit u lëshuan fillimisht për të gjithë banorët në qytetin Superior të Kolorados, me një popullsi prej rreth 13 mijë banorësh, dhe pak më vonë edhe për komunën ngjitur të Louisville, që është e përbërë nga më shumë se 18 mijë banorë, njofton zyra e menaxhimit të urgjencës në Boulder County.
Brenda pak orësh, zjarri kishte përfshirë rreth një mijë e 600 hektarë (647.5 hektarë) dhe shkatërroi më shumë se 500 shtëpi.
Siç raportohet, erërat e forta e bënë të pamundur ndalimin e avancimit të shpejtë të zjarrit, derisa nuk ka të dhëna për njerëz të zhdukur e as ndonjë vdekje të raportuar.