19 persona kanë vdekur, ndër ta edhe nëntë fëmijë, si pasojë e një zjarri masiv të shkaktuar të dielën në një ndërtesë banimi në Bronx të New Yorkut.
Përveç viktimave, më shumë se 60 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit, raporton ABC News.
Kryetari i New Yorkut, Eric Adams, në një konferencë për shtyp të dielën ka thënë se 32 persona janë transportuar në spitalet e zonës pasi që kanë lëndime kërcënuese për jetën.
Ai shton se ende nuk dihet se si shpërtheu zjarri.
“Ky është një moment i dhimbshëm për qytetin e Nju Jorkut dhe ndikimi i këtij zjarri do të sjellë vërtet një nivel dhimbjeje dhe dëshpërimi në qytetin tone. Numrat janë të tmerrshëm”, ka thënë Adams.
Raportohet se më shumë se 200 zjarrfikës të qytetit të Nju Jorkut iu përgjigjën zjarrit me pesë alarme në ndërtesën që është kapluar nga flakët.