Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu, u shpreh sot se mbyllja e shkollave për mungesën e ngrohjes, është dështim i qeverisë me arsimin
Anëtarja e Komisionit të Arsimit theksoi në një dalje për mediet se, “të hënën, të martën dhe të mërkurën qeveria ka lajmëruar së do të jetë ftohtë dhe me ketë rast ka mbyllur shkollat nga veriu në jug. Partia Demokratike gjykon se kjo nuk është një masë që u shërben fëmijëve”.
“Mbyllja e shkollave për shkak se në dimër bën ftohtë, është një dështim i jashtëzakonshëm i qeverisë së Edi Ramës me arsimin. Në 8 vjet, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap përpara për të rritur cilësinë në arsim, por qeveria e Edi Ramës nuk ka siguruar as kushtet minimale për ngrohje në shkolla”, tha ajo.
“Të njëjtën situatë e kemi denoncuar edhe vjet, edhe para dy vitesh, por siç shihet nuk ka ndryshuar asgjë. Masa e vetme për fëmijët është mbyllja e shkollave më vend të krijimit të kushteve normale për të mësuar edhe në dimër”, theksoi Bakiu.