Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, për mijëra hebrenj që humbën jetën gjatë Holokaustit.
Meta vlerësoi kontributin e popullit shqiptar për mikpritjen dhe shpëtimin e jetëve të hebrenjve.
“Krenarë për kodin tonë të nderit dhe mikpritjes besa, Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës, sepse familjet shqiptare, të besimeve të ndryshme, mbrojtën popullin hebre gjatë asaj periudhe të errët. Duke përkujtuar viktimat e pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, dënuar antisemitizmin, mungesën e tolerancës, bashkëjetesës, dhe shkeljen e lirive, të drejtave dhe dinjitetin njerëzor, të gjithë duhet të angazhohemi dhe të mos lejojmë kurrë më të tilla tragjedi, gjenocide dhe akte çnjerëzore”, shprehet ai.
Balla: Populli ynë ka dëshmuar virtyte të tolerancës fetare dhe etnike unike në botë
Në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokausit kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se populli ynë përgjatë shekujve ka dëshmuar virtyte të tolerancës fetare.
“Sot është dita e përkujtimit të viktimave të Holokaustit dhe të rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur për të luftuar antisemitizmin, racizmin dhe forma të tjera të intolerancës”, tha Balla.
“Vendi ynë dhe populli shqiptar përgjatë shekujve ka dëshmuar virtyte të tolerancës fetare dhe etnike unike në botë. Miratimi i përkufizimit mbi antisemitizmin, të përcaktuar nga Aleanca ndërkombëtare për përkujtimin e Holokaustit (IHRA) nga Parlamenti i Shqipërisë më 22 tetor 2020, përforcon qëndrimin për të kundërshtuar çdo shfaqje të intolerancës dhe diskriminimit që mund të çojë në akte urrejtje dhe dhune, përfshirë dhe antisemitizmin. Mohimi i Holokaustit ashtu siç thekson edhe Rezoluta e OKB-së e miratuar vetëm pak ditë më parë përbën një veprim të dënueshëm dhe kërkon koordinim midis kombeve për ta dekurajuar fenomenin e mohimit te genocideve kudo që ndodhin”, shprehet ai.
Manja: Asnjë hebre në tokën e Shqipërisë nuk u dorëzua
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit theksoi se, në orën e provës së madhe shqiptarët u bënë bashkë.
“Dita e memories. Në orën e provës së madhe shqiptarët u bënë bashkë, pa dallime politike, feje e race. Asnjë hebre në tokën e Shqipërisë nuk u dorëzua në duart naziste. Kodi i lashtë i Besës dhe Mikut mbizotëroi mbi çdo interes. Të mos e harrojmë historinë tonë”, tha Manja.