Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Basha ka vulën e Partisë Demokratike, por nuk ka legjitimitet politik.
I pyetur në një intervistë televizive për ngjarjet e 8 janarit, Rama u shpreh se, “ajo s’ishte as si shqiptarë, se nuk bën vaki ajo, as si qytetarë nuk ishte. Se qytetarët nuk bëjnë. Të dyja palët, edhe ata që bëjnë dyer të blinduara. Për çfarë i blindon dyert. Ti thirr policinë, edhe thuaj, nëse je në rregull dhe s’ke mizën nën kësulë. Thërret policinë dhe thua, urdhëro më mbroni”.
Për reagimin e policisë, Rama tha se, “kur thërritet policia dhe se çfarë bën policia këtë e dinë drejtuesit e policisë nuk e dimë as unë as ti. Atë e dinë ata. Momentin që ata u thirrën, vajtën i shpërndanë”.
“Policia ka qenë në ditën e vet më të vështirë në histori. Se nuk i ka bërë kurrë vaki policisë që të detyrohet të mendojë çfarë të bëj unë për të zgjidhur një sherr brenda një oborri partie që mund të përfundojë me gjak. Është skandal”, tha Rama.
“Atë skenë e pa tërë dynjaja. Ti dëgjove palët. Njëra palë tha s’kishte asnjë derë të blinduar, pala tjetër tha s’kishte asnjë xham të thyer. Këta janë dy të marrë që kanë marrë peng një popull të tërë demokratësh dhe që duan ta tërheqin prej hunde”, tha Rama, duke shtuar se, “për mua Policia ka qenë në ditën e vet më të vështirë dhe ka pasur ditën e vet më të bukur me mënyrën sesi veproi”.
Unë flas për legjitimitet politik, unë nuk flas për vulën. Vulën nuk diskutohet që e ka Lulzimi, siç ka Nard Ndoka vulën e Partisë Demokristiane. Unë flas për legjitimitet politik. Flas për legjitimitet përpara popullit demokrat. A e sheh se çfarë i kanë bërë këta demokratëve apo jo. I kanë shqyer komplet, i kanë kthyer në armiq. Njësoj si kulakët me komunistët brenda një shtëpie, çmenduri”, tha Rama.
I pyetur për qëndrimin e SHBA për opozitën, Rama tha se, “amerikanët thonë ne njohim këtë PD, le të punojmë me këtë kryetar, sepse ky ka vulën. Ata nuk thonë ky ka vulën, por ky e ka vulën. Ka legjitimitetin formal. Unë këtu flas për legjitimitet politik”.
“Unë them që në këto kushte kemi një PD që nuk është më PD, është një gjë e ndarë me dyer të blinduara dhe me qysqi. Tani me kë të jem unë me blindin apo me qysqinë. Është zgjedhje shumë e rëndë kjo”, tha Rama.
“Unë jam në mandatin tim të tretë. Unë dua sot shumë më tepër sesa në ditën e parë që gjërat të mos jenë të lidhura me interesin tim pragmatik, por të jenë të lidhura me interesin e vendit. Dhe interesi i vendit nuk është që të ketë një ish-president dhe një ish-kryeministër “non grata”. Po s’kemi çfarë t’i bëjmë se është “non grata” dhe e meriton të jetë “non grata””, theksoi Rama.
“Por tek rasti tjetër kemi të bëjmë me një legjitimitet formal, nuk diskutohet. Pra nëse bëhen komisione, patjetër që ata janë formalisht, por nuk ka legjitimitet politik. Nuk përfaqëson mor zotëri. Një njeri që thotë kisha 5004 veta në një sallë me 1900 karrige”, tha Rama.
“Sa më jo sfiduese të jetë opozita, aq më problem është që t’i që qeveris të jesh në alert intelektual të bësh gjëra. Një opozitë që sulmon me muskuj, me gurë, me molotov është problem. Prandaj po them kjo është një arsye, jo e vetmja, që unë kam pasur idenë që ne duhet të shkojmë të flasim drejtpërdrejt me njerëzit, me demokratë, me socialistë, si qytetarë si njerëz. Çfarë do të bëjmë me këtë vend. Pse me këta do merremi ne? Këta janë një kufomë non grata, një grata, të vdekur të pakallur të dy në oborr, ju kanë ngelur në oborr dhe nuk dinë këtë heqin, s’dinë kë të vënë. As nuk i varrosin dot, as nuk i ngjallin dot”.
“Nuk jam unë që po diskretitoj as njërin as tjetrin, janë ata që po diskretitojnë vetveten dhe po diskretitojnë të gjithë historinë e tyre. Sepse faktikisht çfarë po i thonë njëri-tjetrit? Po i thonë të gjitha gjërat që njerëzit thonë për ta. Faktikisht sot nuk ka nevojë të flasim ne. Sot ata po i thonë. Dhe ndërkohë ata sot po tregojnë për njerëzit se çfarë politikanësh janë”, u shpreh Rama.
Për qëndrimin e ambasadores së SHBA, Yuri Kim, Rama tha se, “ambasadorja e SHBA përfaqëson një shtet i cili jo vetëm i ka vënë vijën e kuqe Saliut, por po sfidohet në mënyrën më qesharake, Don Kishoteske, nga një njeri që ka të gjithë eksperiencën dhe të gjithë njohurinë që ta dijë dhe që e di”.
“Jam i sigurt që e di, ai vetë. Që këtu s’ka lidhje as me konspiracione, as me Xhorxh Sorosin, as me Edi Ramën. Se po të ishte kështu, nëse do i kishte kapacitete të tilla, të mundshme në botë, përpara sesa ta korruptoja unë me Xhorxh Sorosin, Departamentin e Shtetit, do ta kishin korruptuar oborret mbretërore të Lindjes së Mesme, pra do e kishin korruptuar fuqi shumë më të mëdha. Po të ishte Amerika që i shitet prurësit më të parë, atëherë s’do ishte më Amerika. Ku ka Departamenti i Shtetit të marrë vendime se ndërhyri Xhorxh Soros, apo ndërhyri ky. Vendimet për non grata janë vendime që merren me procese shumë të detajuara që zgjasin dhe këto procese zgjasin me vite. Dhe ky proces ka nisur që në kohën e administratës së kaluar. Nuk e ka nisur as Xhorxh Soros, as demokratët, as Biden”, tha Rama.
Duke iu rikthyer situatës në PD, Rama u shpreh për Bashën dhe Berishën. “Njërin e ka vrarë politikisht Amerika, ia ka dhënë në lule të ballit politikisht. Pra plakun të madhin e vrau politikisht Amerika. Tjetri, protokolloi kufomën, por nuk e materializoi në një legjitimitet politik të lidershipit të tij në raport me demokratët”, tha Rama./ATSH/