Gati 20.000 arra kokosi, të mbushura me kokainë të lëngshme, janë gjetur nga autoritetet në Kolumbi në një dërgesë që destinacion e kishte Italinë.
Droga e fshehur në mënyrë të pazakontë u gjet falë një hetimi të bashkërenduar nga Drejtoria e Specializuar kundër Trafikimit të Drogës e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Kundër Narkotikëve në Policinë Kombëtare, sipas një deklarate të lëshuar të enjten nga Zyra e Prokurorit Kombëtar të Kolumbisë.
Dërgesa pritej të nisej nga porti i Cartagena-s në Bolivar për Gjenovë të Italisë. Zyrtarët thanë se 504 qese me 19.780 arra kokosi i gjetën me kokainë të lëngshme brenda tyre, shkruan Independent, përcjell Gazeta Express.
“Pas inspektimit, u vërtetua se uji në pemët tropikale ishte ndërruar me kokainë të lëngshme”, thuhet në deklaratën e autoriteteve kolumbiane.
Arrat e kokosit më pas u dërguan në një laborator të specializuar për ta përcaktuar sasinë e saktë të drogës së futur brenda arrave.
Zyra e Prokurorit tha se janë duke u zhvilluar hetime për t’i zbuluar personat përgjegjës dhe vendin ku arrat e kokosit janë ngarkuar fillimisht.
Edhe autoritetet italiane do të njoftohen për strukturën e trafikimit të drogës, e cila pritej ta pranonte këtë dërgesë.