Një ndër pyetjet e Gjykatës Kushtetuese ka qenë dhe për akuzat që presidenti ka bërë ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike.
Meta i bëri të qartë gjyqtarëve se shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë.
Në disa dalje publike apo intervista Presidenti i Shqipërisë ka akuzuar ambasadoren amerikane, Yuri Kim se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, madje dhe duke mbështetur kryeministrin Edi Rama edhe në zgjedhjet e 25 prillit.
Në përgjigjen drejtuar Gjykatës Kushtetuese Meta lë të kuptojë se ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë.
Pyetje: A mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse
Pergjigje: Presidenti i Republikës ka refuzuar prerë çdo lloj ndërhyrjeje apo qëndrimi publik nga diplomatë të veçantë, të cilët në mënyrë direkte apo të nënkuptuar, kanë mbështetur shkeljet dhe shkelësit e Kushtetutës, shkeljet e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, shkeljet e ligjit, marrjen nën mbrojtje të personave nën hetim, dhe cenuesit e integritetit të institucioneve të pavarura (rasti “Dvorani”, por jo vetëm).
Presidenti ka refuzuar prerë çdo ndërhyrje nga aktorë të veçantë të trupës diplomatike, që kanë vepruar në shkelje të hapur të statusit të tyre diplomatik dhe Konventës së Vjenës, duke guxuar t`i diktojnë Presidentit të Republikës se si ai duhet të nxjerrë aktet e tij kushtetuese, edhe duke shkelur Kushtetutën dhe degraduar procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, për të pranuar në heshtje rrëmbimin flagrant të kompetencave të Kreut të Shtetit, me pasojë kapjen e Gjykatës Kushtetuese, dhe jo vetëm. Presidenti i Republikës është përballur edhe më parë me ndërhyrjet ilegjitime të disa diplomatëve të caktuar, edhe në procesin e ndërtimit të institucioneve të drejtësisë, bllokimin e pajustifikueshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, emërimin antikushtetues me 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, apo për veprimet manipuluese dhe jo transparente të ish kreut të KED-së lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka patur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë”
Më 7 shkurt në Gjykatën Kushtetuese u mbajt seanca e tretë e shqyrtimit të kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Palët lexuan konkluzionet përfundimtare dhe Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të shpallur vendimin.