Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica ka mbetur i zhgënjyer me barazimin e Norwich Cityt 1:1 ndaj Crystal Palacet në xhiron e fundit të Premier Leagues.
Rashica ka insistuar se Norwichi është dashur ta fitojë këtë ndeshje që e luajti të mërkurën mbrëma në shtëpi por i mungoi fati.
Ky barazim, e ka kthyer Norwichin në zonën e rënies nga Premier League pasi zë vendin e 18 në tabelë me 17 pikë të mbledhura. Rashica luajti gjatë tërë ndeshjes kur për të ishte paraqitja e 17 këtë sezon në elitën e futbollit anglez.
“Jam i zhgënjyer për shkak se është dashur ta fitojmë këtë ndeshje por gjithashtu na mungoi edhe fati. Të paktën është dashur të shënojmë edhe një apo dy gola. Megjithatë, ne treguam një paraqitje të mirë dhe kjo është shumë pozitive për ndeshjet e ardhshme që na presin”, është shprehur Rashica.
Edhe ndeshjen e radhës, Norwichi e luan në shtëpi. Të shtunën e pret kampionin në fuqi, Manchester Cityn.