Flamur Noka së bashku me deputetët e tjerë të grupit të Rithemelimit të PD bojkotuan sot votimin në Kuvend të zgjatjes së mandatit të vettingut.
Por mazhoranca ja doli ta votojë duke marrë votat e Partisë Demokratike.
I ftuar në Rtv Ora, Noka thotë se Basha sot provoi se vazhdon të jetë me Ramën.
Noka: Ajo që ndodhi sot ishte demostrim i asaj që kemi thënë prej kohës, ai është thjesht një peng. Koha po vërteton se Lulzim Brava është peng i shumëfishtë. Ata janë bashkë (Basha dhe Rama). Pas 25 prillit nuk ngurojnë as njëri, as tjetri, të tregojnë se janë bashkë. Estradat e parlamentit i keni parë. E keni parë që edhe vetë pengmarrësi i thotë pengut, unë ty të dua, janë bashkë. Tendera te 5 Maji po marrin ushtarët e pengut, në port është kunati i pengut. Sot treguan se vazhdojnë të jenë bashkë. Se ka për gjë peng Basha të lëpijë atë që ka pështyrë.
Ndryshimin e qëndrimit të Bashës, Noka nuk e lidh me presionin ndërkombëtar por me pazaret që Basha ka me Ramën.
Noka: Është peng dhe tërhiqet prej hunde dhe e dyta pazari. Unë kam qenë me Bravën 8 vjet në opozitë, jam dëshmitar i presioneve që janë bërë por kjo nuk është çështje presioni por pazari me Edi Ramën dhe jo me ndërkombëtarët.
E në fakt PD ja doli të marrë dy komisione për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, por Basha harroi premtimin për vettingun e politikanëve.
Noka: Ky është pazari. Në shtator të këtij viti ka qenë një debat në grupin parlamentar dhe kryesinë e partisë mes deputetit Oerd Bylykbashi dhe ish-kryetarit dhe deputetit Lul Brava. Bylykbashi e akuzoi se shiti kauzën e demokratëve në këmbim të reformës administrative dhe reformës zgjedhore. Ky ka qenë pazari i bërë me kohë, prandaj unë them se pas 25 prillit pengu nuk ka nguruar të dalë hapur në anën e Edi Ramës, të mbajë hapur anën e tij, ti dalin hapur të gjitha pazaret. Ka vendosur të shndërrohet në një patericë të tij, në ushtar të bindur të tij dhe kishte menduar që do merrte dhe PD ta fuste në sqetullën e Edi Ramës. Koha vërtetoi që ka mbetur vetëm dhe çdo ditë e më shumë do të mbesë edhe më vetëm në sqetullën e Edi Ramës por jo më PD, jo më opozita. Atë që kishte shtyrë prej 6 vitesh i futi një të lëpirë sot këpucëve të Ramës dhe ja ku jemi.