Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të enjten, 17 shkurt, një seancë solemne për të shënuar 14-vjetorin e shtetësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta arritur lirinë.
“Ishte rezistenca e popullit tonë që trazoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri dhe për shtet”, ka thënë Osmani.
Gjatë fjalimit të saj para Kuvendit, ajo ka përmendur edhe ndihmën e aleatëve të Kosovës në këtë rrugëtim.
“Bota demokratike nuk heshti asnjëherë para vuajtjeve të popullit”, ka deklaruar ajo.
Prandaj, ka thënë Osmani, liria e Kosovës u dedikohet edhe vendeve mike, duke thënë se pa to nuk mund të finalizohet rruga evropiane e këtij vendi dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
“Kosova sot nuk është as ajo e qershorit të vitit 1999 dhe as ajo e shkurtit të vitit 2008. Megjithatë, liria jonë ende nuk është përmbushur, sepse sot kujtojmë edhe mbi 1,600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të të cilëve po e mban peng Serbia. Por, një është e sigurt. Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa familjet e tyre të gjejnë qetësinë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se procesi me Serbinë do të përfundojë me njohjen reciproke:
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, dhe rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë”.
Presidentja Osmani ka thënë se autoritetet nuk do ta ndalen derisa ta bëjnë Kosovën shtet “ashtu siç e dëshiruan ata që ranë për të dhe çfarë e meriton secili qytetar i vendit”.
Ajo ka paralajmëruar kundër atyre që i ka konsideruar forca destruktive që kanë bazën në Rusi.
“Tendencat destibilizuese nëpërmjet përdorimit të aleates tradicionale të saj, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /REL