Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se diplomatët e vet do të kalojnë natën në Poloni për arsye sigurie.
Stafi diplomatik i SHBA-ve tashmë ishte zhvendosur nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, në qytetin perëndimor të Lviv-it, shkruan lajmi.net.
“Fakti që ne po marrim masa paraprake të kujdesshme për hir të sigurisë së personelit të qeverisë amerikane dhe qytetarëve amerikane, siç bëjmë rregullisht në mbarë botën, në asnjë mënyrë nuk minon mbështetjen, apo angazhimin tonë për Ukrainën”, tha sekretari i shtetit, Anthony Blinken.
“Angazhimi ynë ndaj Ukrainës tejkalon çdo vend”, tha ai.
DASH u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina. Të gjitha këto veprime vijnë pasi Rusia ka vendosur të njohë pavarësinë e dy republikave të vetshpallura në Ukrainën lindore.
Kjo ka dërguar në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku janë dënuar fuqishëm sjelljet e Rusisë.