Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, ishte personi i radhës që dëshmoi, këtë të martë, në Komisionin Hetimor për inceneratorët.
Teksa Jorida Tabaku, kryetare e komisionit, kërkoi sqarime për një vendim 45 milionë euro nga Këshilli Bashkiak, Veliaj reagoi duke thënë se nuk ka asnjë dokument për një shumë të tillë.
Ai theksoi se kjo është shpifje dhe e krahasoi atë me Kongresin e PD-së në Pallat të Kongreseve. Më tej, ai theksoi se nuk i ndan përgjegjësitë me Edi Ramën, madje u shpreh se ai me Ramën, janë një.
Pjesë nga debati
Erion Veliaj: Unë nuk e di nga del kjo historia e 45 milionë eurove. S’kam asnjë dokument, këtu hidhen shifra, nami, nami. Nëse është si 5 mijë delegatë në 1700 ulëse, atëherë pse 45 milionë, por 4 miliardë e me radhë.
Jorida Tabaku: E kemi dëgjuar disa, e kuptoj që është mesazhi i regjisë qendrore. Ju lutem 45 milionëshin për Këshillin Bashkisë, për këtë vendim kemi interes.
Erion Veliaj: Ne nuk kemi asnjë dokument të tillë, këtu kemi vetëm shifra që mund të impresionojnë ata militantë që ju kanë mbetur me fakte që janë komplet të pabazuara. Unë u acarova pasi ma bëjnë pyetjen njerëz që kanë konflikt interesi.
Erion Veliaj: Unë përgjegjësitë me Edi Ramën nuk i ndaj, pasi nuk jam si ju që i shisni drejtuesit. E kam për nder marrëdhënien me Edi Ramën.
Jorida Tabaku: Në fakt, sot në burg janë dy ministra të shitur nga Rama.