Nga data 30 gusht deri më 10 shtator qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, kanë mundësi që të mbushin formularët e tyre për të figuruar në regjistrin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Të drejtën për tu regjistruar si votues Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e kanë edhe ata qytetarë që nuk kanë shtetësinë e Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës sipas Ligjit për Shtetësi.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë për Radion Evropa e Lirë, se regjistrimi është i domosdoshëm sepse vetëm të regjistruarit e suksesshëm mund të votojnë përmes postës.
Elezi ka sqaruar se aplikimi për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes postës në adresë të KQZ-së apo përmes faksit si dhe përmes e-mailit zyrtar.
“Duke filluar nga disa e sotme, në ueb faqen e KQZ-së dhe në llogaritë e rrjeteve sociale të KQZ-së do të publikohen të gjitha informatat e nevojshme dhe më të detajizuara për këtë periudhë të procesit zgjedhor. Natyrisht se edhe në Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës si dhe në pikat shpërndarëse të personave kontaktues të subjekteve politike të regjistruara në Republikën e Kosovës që gjenden në diasporë do të shpërndahen materialet e nevojshme informuese”, tha Elezi.
Qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës llogaritet të jenë deri në 800 mijë, por, në regjistrimin e diasporës, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë deri më tani janë regjistruar vetëm rreth 400 mijë qytetarë.
Ndërkohë që sipas organizatës joqeveritare ‘Germin’ që merret me organizmin e diasporës janë rreth 350 mijë votues nga diaspora me të drejtë vote.
Liza Gashi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare ‘Germin’, tha për Radion Evropa e Lirë se votuesit nga diaspora kanë hasur në pengesa në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Ajo thotë se kanë kërkuar nga KQZ që pengesa të tilla të mos përsëriten në zgjedhjet e 6 tetorit.
Gashi thotë se regjistrimi i votuesve nga diaspora ka procedura burokratike, procedura këto të cila edhe zbehin pjesëmarrjen e diasporës në proceset zgjedhore në Kosovë.
“Është një drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi të Kosovës, por praktikisht është një drejtë e mohueshme e cila nuk arrin në stadin ku mund t’i ofrojmë alternativa votuesit nga diaspora. Është proces i komplikuar dhe lë shumë për të dëshiruar. E para që duhet bërë është ndarja e listës mes shtetasve të Kosovës dhe diasporës, e dyta është krijimi i një aplikacioni të regjistrimit i cili nuk do t’i kërkonte një shtetasi vazhdimisht të regjistrohet si votues dhe e treta të kemi alternativa përtej postës, pra duhet të ofrohet votim fizik”, thotë Gashi.
Kosova, deri më tash, nuk ka arritur që të krijojë kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në vendet ku jetojnë dhe veprojnë mërgimtarët kosovarë dhe i gjithë procesi bëhet përmes postës elektronike.
Gashi thotë se edhe afati ligjor regjistrim të votuesve nga diaspora është i shkurtë.
Lidhur me afatin ligjor të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se “duhet të kihet parasysh se këto janë zgjedhje të parakohshme dhe KQZ është e detyruar që të bëjë shkurtimin e ditëve apo afateve zgjedhore për t’ju përshtatur ditëve të cilat janë në dispozicion”.
Qëndresa Fazliu, nga Ministria e Diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit do të ndihmojnë në informimin e diasporës.
“Ministria e Diasporës bën përpjekje që në bashkëpunim me KQZ-në, t’i informojë diasporën për mënyrën dhe procedurat e votimit jashtë vendit”, thotë ajo.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 përgjatë periudhës së aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës si votues suksesshëm të regjistruar ishin mbi 15 mijë qytetarë.
Vite më parë, Ministria e Diasporës kishte kërkuar që të bëhen ndryshime kushtetuese në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Parlament për diasporën e Kosovës.
Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë ndryshim lidhur me këtë.
Përfaqësimi i diasporës në institucionet e vendit, ishte vlerësuar i domosdoshëm marrë parasysh kontributin e tyre jo vetëm në periudhën e çlirimit të Kosovës, por edhe përmes remitencave dhe ndihmës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti, vlera e remitencave (para të dërguara nga diaspora), sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ka arritur në 332 milionë euro.
Kurse vitin e kaluar, vlera e remitencave ka tejkaluar shumën prej 800 milionë euro, duke shënuar vlerën më të lartë në dekadën e fundit/REL/