Minstri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha të premten se Rusia nuk po godiste në asnjë moment godina të banuara nga civilët, por gjatë pushtimit të Ukrainës janë shënjestruar vetëm infrastruktura ushtarake e vendit.
“Askush nuk do të sulmojë popullin ukrainas”, tha ai gjatë një konference për mediat, ndërsa pyetjes së CNN iu përgjigj me inat: “Nuk po goditen infrastruktura civile”.
Megjithatë, situata në terren është krejt ndryshe. Që prej nisjes së pushtimit ka raportime për pallate banimi e kopshte të bombarduara, predha të mbetura në mes të rrugëve të qyteteve.
Në video të ndryshme të postuara në rrjetet sociale, por edhe pamjet satelitore të analizuara nga CNN, konfirmojnë se në disa raste, zona me numër të lartë popullsie civile janë goditur nga forcat ruse.
Gjithashtu, “Amnesty International”, në një deklaratë për mediat të premten akuzoi Rusinë se “po kryente sulme ndaj civilëve dhe objekteve që gëzojnë mbrojtje të veçantë, si spitalet”, duke cituar tre shembuj, përfshi edhe një sulm të enjten pranë një spitali në Vuhledar, pranë Donetskut, ku 4 persona humbën jetën dhe 10 të tjerë u plagosën.