Ish-kryeministri Berisha ka kërkuar nga qeveria Rama të heqë sa më shpejt TVSH dhe taksën e qarkullimit për naftën, e cila në ditët e fundit ka arritur çmimin më të lartë të saj, detyruar dhe nga lufta në Ukrainë.
Berisha, gjithashtu kërkoi heqjen e TVSH për energjinë si dhe rimbursim për energjinë për familjet në nevojë. Sipas ish-kryeministrit, qeveria gjithashtu ka për detyrë që të mbrojë qytetarët nga spekulantët që përfitojnë nga situata e krijuar.
“Denoncojmë qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë ndaj situatës së krijuar javë dhe ditët e fundit me rritjen galopante të çmimeve të energjisë, produkteve te tjera, por dhe ushqimeve.
Nuk mohohet që Europa është në luftë dhe hijet e saj përhapen në mbarë kontinentin, përfshi këtu dhe Shqipërinë. Në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë ruse që po kryejnë krime kundër njerëzimit dhe genocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta në mbarë Europën janë spekulantët që duan si shushunja të pasurohen nga lufta. Është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve të BE të luftojnë me vendosmëri spekulantët.
Kohë përpara se të niste kjo luftë, të gjitha vendet e BE kanë ndërmarrë një seri masash që kishin si qëllim mbrojtjen e qytetarëve. Sot Shqipëria ka çmimet më të larta në Europë për naftën dhe gazin, ndonëse është një vend prodhues i naftës dhe gazit. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti i regjistruari deri më sot në Europë, pavarësisht se rrogat janë 10 herë më të ulëta se në Austri dhe Gjermani.
Ky çmim stratosferik i naftës nuk ka ekzistuar as në 2008, kur fuçia arriti 150-200 dollarë në bursë. Ky çmim është rezultat i një serie taksash të vendosura në arbitraritet dhe kundër logjikës fiskale. Sot, qeveria ka vendosur përveç TVSH, akcizës, vendosi dhe taksën e qarkullimit, e cilat vajti 270 lekë. Krahas tyre janë vendosur tarifa absurde, si ajo e kontrollit, e pompës për të mos thënë 400 lekë TVSH për litër.
PD kërkon heqjen e TVSH nga nafta dhe për energjinë elektrike. Kërkon rimbursim për të gjitha familjet në nevojë, shtesë që të përballojnë krizën ekonomike. Kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 lekë. Dhe me këto lëvizje çmimet e naftës zbresin në nivelin e vendeve përreth”, tha Berisha.