Qeveria shqiptare do të fitojë mbi 100 milionë dollarë më shumë këtë vit vetëm nga rritja e çmimit të karburanteve. Në parashikimin e buxhetit të këtij viti, të miratuar në Nëntor, 1 litër naftë në treg shitej për 180 lekë. Ndërsa sot, kur çmimi ka kapur nivelin e 260 lekëve për litër, qeveria e ka fitim të paparashikuar TVSH-në 20% në këtë rritje prej 80 lekësh, apo konkretisht 16 lekë.
Të dhënat e Doganës Shqiptare tregojnë se vitin e shkuar u importuan në vend 638 mijë ton karburante, apo rreth 750 milionë litra naftë dhe benzinë. Me çmimin e Nëntorit nga shitja e këtij produkti, arkëtimi nga TVSH-ja do të ishte 27 miliardë lekë, ndërsa me çmimin e sotëm do të arrinte në 39 miliardë lekë, apo 12 miliardë lekë më shumë.
Kur shteti ndërkohë del me fitim, qytetarët dhe bizneset shqiptare nga kjo diferencë çmimesh do të duhet të paguajnë 60 miliardë lekë më shumë për konsumin e tyre të naftës, apo rreth 526 milionë dollarë më shumë.
Vendet e rajonit ndërkohë po marrin masa për të stabilizuar çmimet, si reduktimi i akcizës në rastin e Serbisë dhe Kroacisë, vendosja e një marzhi fitimi maksimal për kompanitë në rastin e Kosovës, apo vetë çmimi tavan që mban Maqedonia e Veriut.
Aktualisht, në faturën 260 lekë për litër, gjysma e çmimit janë taksa që mbahen nga shteti.