E gjithë bota reagoi e tronditur për sulmin kundër një maternitetit në Mariupol, qytet në jug të Ukrainës ku ishte në fuqi armëpushimi për evakuimin e civilëve. Ekipet e shpëtimit janë në garë më kohën për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat e godinës që mori një goditje të drejtpërdrejtë nga raketor ruse në atë që presidenti Volodymyr Zelensky i cilësoi një krim lufte, provën e fundit të gjenocidit kundër ukrainasve.
“Europianë, ukrainas, banorë te Mariupolit. Sot është dita që përcakton gjithçka, përcakton se në cilën anë jeni. Bombat ranë në një spital dhe një maternitet në Mariupol. Spital fëmijësh. Me çfarë e kishin kërcënuar ata Federatën Ruse, në ç’mënyrë. Çfarë lloj vendi është ky që ka frikë nga spitalet dhe maternitetet dhe i shkatërron ato. Kjo është provë e gjenocidit ndaj popullit ukrainas”, tha Zelensky
Imazhe dhe foto rrëqethëse tregojnë pacientët e plagosur dhe infermieret teksa evakuohen nga spitali i shkatërruar, ndërsa gra shtatzëna u zhvendosën me barela në oborrin e mbuluar nga rrënojat. Të paktën 17 persona përfshirë gra shtatzëna u plagosën në sulm. Deri më tani raportohet se 3 persona kanë humbur jetën, por autoritetet druhen se persona mund të jenë bllokuar nën rrënoja.
Kryeministri Boris Johnon reagoi me zemërim duke thënë se nuk ka gjë me të ulët se sa të sulmohen të pambrojturit, e po ashtu shtëpia e bardhë dënoi përdorimin barbar të forcës, siç e cilësoi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, foli për një akt të tmerrshëm dhe kërkoi ndaljen e menjëhershme të luftimeve. Por Moska mohoi të ketë sulmuar maternitetin, duke e quajtur lajmin si të rremë.
Bombardimet ruse kanë vijuar edhe përgjatë natës, duke shënjestruar një pallat pranë Kharkiv. 4 persona u vranë mes të cilëve 2 fëmijë. Në rajonin e Sumit, bombat ruse shkaktuan vdekjen e një 13-vjeçari dhe dy grave. Qyteti i Oktirkas pranë Sumit është vënë në shënjestër të një ofensive ruse gjatë natës, ku janë goditur zona banime dhe një gazsjellës. 6 korridore humanitare u hapën ditën e mërkurë, por vetëm pak prej tyre funksionuan. Presidenti Zelensky tha se mbi 35 mijë civilë ishin evakuuar deri më tani.