Pronari i Chelseat, Roman Abramovich është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, që do të thotë se ai tani nuk është në gjendje të shesë klubin, duke shkaktuar krizë të madhe brenda klubit.
Sanksionet synojnë të ndalojnë 55-vjeçarin të fitojë para në Britani dhe kjo përfshin edhe Chelsea. Një aplikim në qeverinë britanike mund të bëhet për të shitur Chelsean në të ardhmen për sa kohë që miliarderi ruso-izraelit Abramovich nuk përfiton ose nuk fiton para nga transaksioni.
Qeveria i ka dhënë Chelsea një licencë të veçantë për të lejuar që të përmbushen ndeshjet, stafi të paguhet dhe mbajtësit ekzistues të biletave të ndjekin ndeshjet.
Në pamundësi për të blerë e shitur lojtarë, Chelsea do të ketë kokëçarje të mëdha në muajt në vijim, sidomos me lojtarët që u skadojnë kontratat verës.
Andreas Christensen do të largohet drejt Barcelonës sipas gazetarit italian Fabrizio Romano. Ndërkohë, qendërmbrojtësi tjetër Rudiger është kontaktuar nga tre klube dhe ende pret të marrë një vendim.
Kapiteni Azpilicueta gjithashtu ka ofertë nga klubi katalonas Barcelona, ndërsa Jorginho pret që të largohet nga Chelsea këtë verë.
Lajme të shumta kanë qarkulluar edhe rreth trajnerit Thomas Tuchel i cili flitet që mund të ikë drejt një klubi me më shumë stabilitet.
Chelsea është goditur rëndë nga kjo ndodhi e sotme, duke humbur ndër të tjera edhe sponsorin e saj të fanellës.