Qeveria britanike ka nisur diskutimet për skemën e strehimit të refugjatëve ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të pushtimit rus. Skema parashikon një strehim 6 mujor të ukrainasve dhe çdo familje britanike që do të hapë dyert për ta do të marrë një pagesë mujore minimalisht prej 350 paundësh nga ana e qeverisë.
Qeveria britanike ka menduar t’iu vijë në ndihmë refugjatëve të larguar nga lufta në Ukrainë, duke i paguar vendasit që do t’i strehojnë rreth 350 paund në muaj.
Skema “Homes for Ukraine”, Shtëpi për Ukrainën kërkon që kushdo që ka një dhomë rezervë, apo hapësirë bosh në banesën e tyre, ta vërë në dispozicion për një periudhë të paktën 6 mujore, për ukrainasit.
Edhe Ministrat e parë të Skocisë dhe Uellsit i shkruajtën qeverisë së Uestminster-it, për të shërbyer si “sponsorë” , për sigurimin e një strehimi të përkohshëm për refugjatët.
Sekretari i Nivelimit, Michael Gove u kërkoi njerëzve të bashkohen në këtë “përpjekje kombëtare. Kjo nisëm pritet të startojë të hënën, ku individë apo familje ukrainase do të strehohen për një periudhë të paktën 6 mujore. Britanikët do të kenë mundësi të kërkojnë paraprakisht për identitetin e shtetasve të huaj, të cilët më pas do të kalojnë dhe në një proces verifikimi të Home Office.
Sipas Gove “Britania e Bashkuar do mbështesë Ukrainën në këto kohë të errëta për të dhe populli britanik e kupton nevojën për garantimin e sigurisë së tyre sa më shpeujt.
Gjithsesi kjo nisëm ka hasur edhe në kundërshtime. Këshilli i Refugjatëve, është shprehur që kjo nuk është një zgjidhje efikase, pasi sipas tyre do të ishte e vështirë përshtatja e tyre në banesat e britanikëve, për shkak të gjendjes psikologjike dhe shëndetësore në të cilën ato tashmë gjenden.
Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit të Rusisë, në atë që OKB-ja e ka quajtur kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.