Në pak më shumë se dy javë, miliona refugjatë ukrainas janë detyruar të ikin ndërsa pushtimi rus po vazhdon në Ukrainë.
Ky numër aq i madh i njerëzve është “rritja më e shpejtë e krizës së refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka deklaruar komisioneri i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi.
Ndërsa shumë banorë të pjesës qendrore dhe lindore të vendit janë zhvendosur në Ukrainën perëndimore dhe larg vijave të frontit, më shumë se 2.5 milionë ukrainas janë larguar tërësisht nga vendi pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt, thonë të dhënat e fundit të Kombeve të Bashkuara për refugjatët.
Shumica e atyre që ikin nga Ukraina janë gra dhe fëmijë, ndërsa meshkujt ukrainas të moshës 18 deri në 60 vjeç u ndaluan të largoheshin pasi qeveria filloi me zbatimin e ligjit ushtarak.
Më shumë se 1.75 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për në Poloni që nga fillimi i luftës, deklaruan të hënën nga agjencia e Gardës Kufitare polake.
Që nga pushtimi, më shumë se 245,000 ukrainas kanë hyrë në Hungari, ndërsa mbi 195,000 kanë ikur në Sllovaki.
Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu, ka treguar se tashmë mbi 328,000 refugjatë kanë mbërritur në vendin e tij.
Sipas UNHCR-së, më shumë se 173,000 persona kanë ikur për në Rumaninë fqinje.
Vendet nga mbarë Evropa, duke përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Kroacinë, Estoninë, Greqinë, Irlandën, Italinë, Lituaninë, Holandën, Portugalinë dhe Suedinë, kanë raportuar për mbërritjen e mijëra refugjatëve ukrainas që kanë ikur nga lufta.