Katër shqiptarë janë arrestuar në Bari të Italisë, pasi dyshohen se kanë dërguar para për financimin e veprimtarisë terroriste të imamit të një xhamie të Tiranës pranë ISIS.
Mediat italiane kanë bërë me dije se në arrest shtëpie kanë përfunduar Yljan Muça, 31 vjeç, Roland Lleshi, 37 vjeç, Elsio Ramku, 33 vjeç dhe Roland Belba, 37 vjeç.
Në krye të skemës ishte 31-vjeçari Muça, ndërsa Lleshi dhe Ramku kishin rolin e ndërmjetësit dhe Belba, kunati i Muçës, në bashkëpunim me 2 persona të tjerë në Shqipëri, i transferonte paratë në një çantë dore të fshehur në një kamion në bordin e një trageti.
Ndaj tyre, kishte nisur hetimi që në prill të 2020-tës.
Hetimet zbuluan se katër shqiptarët mbështesnin propagandën xhihadiste dhe shpërndanin komunikata e dokumente të përkthyera në shqip të ish-liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi e zëvendësuesit të tij Ebu Ibrahim El Hashimi El Kureshi.