Ndonëse, gjatë vizitës së kësaj pike kufitare në fillim të qershorit nga Zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj u tha se punimet e objektit do të jenë gati në ditën e fundit të gushtit, kjo nuk ndodhi.
Tani Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane Osmani vonesat i arsyeton me shembjen e gurëve dhe dheut në rrugën prej fshatit Sllupçan të Kumanovës që të shpie drejt zonës malore të Bellanocës. Nuk precizon se kur do të bëhet hapja solemne.
Nga Kompania ndërtuese e palës kosovare thanë se disa punime shtesë kanë rritur koston e objektit, por pa e kaluar limitin prej 1,2 milion euro të siguruara nga programi IPA i BE-së. Sipas tyre, tani janë në përmbyllje të punimeve, siç janë lidhja e rrjetit elektrik dhe sistemit të ujësjellësit nga ana e Kosovës dhe vendosja e kabllos optike nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Gur themeli që shënoi fillin e ndërtimit të vendkalimit kufitar Bellanocë-Stançiq ishte vendosur më 11 qershor të vitit të kaluar. Kjo do të jetë një pikë e përbashkët kufitare ndërmjet dy shteteve, e cila përveç udhëtimit të qytetarëve do të ketë pikë doganore për transportimin e mallrave./Alsat/