Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit, deklaroi se qeveria po mendon që në ditë të caktuara të javës të ndalojë përdorimin e makinave.
“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar mundësinë e shokut më të madh të furnizimit me naftë në dekada. Bota e ka kaluar në vitin 1974 këtë krizë, por ne atëherë nuk ishim pjesë e saj, ishim në bunker. Agjencia ka nxjerrë një plan me 10 pika, dy prej të cilave ne i kishim menduar, por nuk i kemi thënë sepse na hidhen në fyt. Do të bëjmë një mbledhje, ku do të diskutojmë që ditën e hënë ta bëjmë pa makina. Ose të diskutojmë për 3 ditë mosvajtje në punë, njëlloj si me COVID-in, por jo për infektim, por për shkak kursimi. Kjo është situta”, tha Rama.
Sipas Ramës, “rritja e çmimeve është vetëm pjesa e parë e filmit të mundshëm”.
“Në një moment të caktuar mund të mos ketë mjaftueshëm naftë. Por, ne e kemi vendosur fondin 5 milionë dollarë për kompensimin e rritjes së çmimit të biletës në transportin urban qytetas dhe ndërqytetas. Neve na intereson që të gjithë ata që përdorin autobusët, të mos kenë probleme transporti”, theksoi kryeministri.