Edhe pse duhej tashmë të ishin në rrugë, pesë autobusët e transportit urban në Tetovë, vazhdojnë të rrinë parkuar. Linjat u ndërprenë për shkak të parregullsive, pasi shoferët e angazhuar nga Komuna në fakt ishin të punësuar si administratorë komunalë, shkruan Alsat
“Ndërkohë që transporti urban vazhdon të jetë jashtë funksionit, banorët, e veçanërisht studentët, ankohen se, për të dalë në qytet detyrohen të marrin taksi, gjë kjo që shton harxhimet e tyre në këtë kohë krize”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani
“Po na bie me paguar më shumë sepse është rrit nafta dhe taksistët na marrin më shtrenjtë. Autobusët kanë qenë shpëtim për neve por tash na bie dyfish me paguar sepse i kanë heq”, Student
“Për studentët shumë më mirë është përdorimi i autobusit se sa taksi, sepse na kushton më shtrenjtë”, Student
“Na rëndon shumë buxhetin shkaku se kishim të paktën orare dhe linja, por u bë problem se u ndalën dhe kjo na ka rëndu normal, kemi nevojë por çka me bë”, Student
Nga ndërmarrja për transport thonë se kanë marrë lejen nga Ministria e shoqërisë informatike, pas çka brenda muajit pritet të bëhet sistemimi i të punësuarve dhe autobusët të kthehen në qarkullim.
“Gjatë gjithë kësaj periudhë si ndërmarrje jemi marrë me çështjen e sistemimit të ndërmarrjes në bazë të normave ligjore, marrjen e lejes nga Ministria për sistematizimin e të punësuarve andaj, fillimi i transportit publik do nis së shpejti”, tha Rafiz Mejdija, Drejtor i NP Tetova Transport.
Çmimet e transportit publik, edhe përkundër ngritjes së çmimit të derivateve të naftës, do të jenë të njëjta thonë në ndërmarrjen “Tetova Transport”, ndërsa dallimin planifikojnë ta mbulojnë me mjete të komunës, me qëllim që të mos bie në kurriz të qytetarëve. /Alsat.mk