Krahasimet ndërmjet Paulo Dybalas dhe Alessandro Del Pieros janë bërë shpesh, ndërsa tani duket se edhe në mënyrën e largimit ka ngjashmëri.
Ikona e futbollit italian u largua nga Zonja e Vjetër pas 19 vitesh (1993-2012), duke regjistruar 705 ndeshje, shënoi 290 gola dhe fitoi trofe të shumta – në mesin e tyre një titull të Ligës së Kampionëve dhe gjashtë Scudetto.
Ai ishte 10 e admiruar i tifozëve të Juves, prandaj pati reagime të shumta kur u njoftua se nuk do t’i vazhdohet kontrata. Megjithëse në atë kohë ishte 37 vjeçar, Del Piero vazhdonte të ishte i rregullt dhe të ishte pjesë e rëndësishme e ekipit.
Në rrëfimet e mëvonshme, kampioni i botës kishte thënë se ishte befasuar nga deklarata e Andrea Agnellit se po largohej. Prandaj, nuk është befasi se legjenda italiane nuk ka raporte të mira me presidentit e klubit dhe asnjëherë nuk ka qenë në Torino për të ndjekur Juven nga tribunat.
Juventusi deshi ta ndërpriste bashkëpunimin me të dhe as që u ul për t’i diskutuar kushtet me legjendën. Kështu që mediat kanë tërhequr paralele ndërmjet largimit të Del Pieros dhe fundit të Dybalas me Juventusin – raporton Football Italia.
Argjentinasi është bërë një yll te Bianconerët dhe ka realizuar 113 gola në 283 paraqitje gjatë shtatë viteve. Në vitin e kaluar veçmë flitej për një marrëveshje për kontratën e re, por gjërat ndryshuan shpejt dhe shefi ekzekutiv, Maurizio Arrivabene, u tha gazetarëve se ‘La Joya’ nuk është më në qendër të projektit të klubit.
Agjenti i Dybalas është takuar me menaxhmentin e klubit sot (e hënë) për ta sqaruar të ardhmen, ndërsa mediat më vonë raportuan se dhjetëshi tjetër do të largohet në verë si lojtar i lirë. Madje Arrivabene deklaroi se Juve i ka bërë zgjedhjet e veta që në janar (duke iu referuar transferimit të Dusan Vlahovicit për 80 milionë euro) dhe ka vendosur të mos vazhdojë me 28-vjeçarin.
Juventusi ishte përgatitur që ta ndërpresë bashkëpunimin me argjentinasin, sepse e dinte se duke e ulur ofertën, do ta detyronte lojtarin që të largohet nga klubi. Me siguri që bordi ka menduar se tash është koha e duhur për t’i ndarë rrugët me numrin 10, njësoj sikurse ndodhi në të kaluarën me paraardhësin e tij.
Largimi i Dybalas në fund të këtij sezoni nuk do të jetë i këndshëm dhe nëse përvoja e Del Piero është ndonjë tregues, nuk do të jetë një lamtumirë e ngrohtë për drejtuesit.