Pasi u rikthye në selinë e Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha rinisi takimet me mbështetësit e tij në kuadër të “Foltoreve”.
Nga Tepelena, Berisha iu bëri thirrje demokratëve të lenë pas zemërthyerjet dhe të bashkohen për t’iu vënë përballë regjimit të Edi Rama, i cili sipas tij me mekanizmat e tij ndikoi në krizën e brendshme në PD.
“Sot PD ka nevojë për bashkim. Ka nevojë që çdo anëtar të lerë mënjanë zemërthyerjen dhe të mobilizojmë energjitë për një betejë me regjimin më të rrezikshëm, që bazon veprimtarinë e tij në vjedhjen dhe krimin. Këtë regjim, kriza po e nxjerr para shqiptarëve se çfarë fatkeqësie përfaqëson për ta.
Nafta në Ukrainën e luftës është një euro më e lirë se në Shqipërinë, mijëra kilometra larg nga lufta. 8 vite në opozitë, 8 vite diskriminim, ndjekje, përndjekje me taksa, kjo është një lumë sakrificash që i bashkon demokratët. Sot, regjimi është në revansh të plotë sepse ia arriti të ndikojë në krizën e PD, të tregojë se nuk respekton asnjë parim të demokracisë”, tha Berisha.