Në ditën e tretë të vizitës zyrtare në Hagë, delegacioni nga Kosova u prit nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Gjyqtarja Ekaterina Trendafilova.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se gjatë këtij takimi zyrtar u diskutua lidhur me punën e Gjykatës, rregullat e aplikueshme, transparencën, ndihmën juridike falas si dhe çështje të tjera me rëndësi që përfshihen në mandatin e DHSK
Ndryshe, të mërkurën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka udhëtuar për në Hagë, për t’i takuar sh-pjesëtarët e UÇK-së, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala – të cilët po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Haxhiu nuk ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, pasi siç ka bërë të ditur ata nuk kanë pranuar të takohen me të.
Nga atje, Haxhiu ka thënë se nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë.
“Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë”, tha ajo.