Sipas guvernatorit të qytetit ukrainas Zhytomyr, Vitaliy Bunechko, forcat ruse janë larguar nga rajoni verior i Ukrainës.
Bunechko ka theksuar se ky rajon që shtrihet në perëndim të Kievit, më nuk është i okupuar nga trupat e Kremlinit, që me t’u larguar nga ky rajon kanë lënë një pjesë të municionit të tyre, transmeton Telegrafi.
“Ata u larguan, duke lënë gjysmën e mjeteve ushtarake e municione”, tha Bunechko për mediat ukrainase.
Në fillim të këtij muaji është raportuar se ndërtesat kolektive dhe spitalet janë bombarduar nga forcat ruse në Zhytomyr.
Duke folur asokohe për sulmet ajrore, zyrtarët lokalë kishin thënë se rusët po godasin Zhytomyrin në të dyja anët – si ndërtesat kolektive si dhe ato industriale – duke pasur për cak infrastrukturën.
Tërheqja e trupave ruse po ndodh me qëllim që Moska t’i rifokusojë kapacitetet në lindje të Ukrainës, në veçanti në rajonin e Donbasit që ka popullatë më të madhe ruso-folëse.