Pas disa javësh dështimi për të ndarë Evropën rreth agresionit në Ukrainë, Vladimir Putin po i shijon dy fitore të vogla diplomatike të kësaj fundjave.
Si në Hungari ashtu edhe në Serbi, partitë e hapura pro-ruse fituan lehtësisht zgjedhjet legjislative, duke ia kujtuar Putinit se pavarësisht reagimit të vendosur dhe kryesisht të bashkuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj pushtimit, ai ka disa miq në perëndim të tij.
Triumfi më i rëndësishëm ishte i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili fitoi një numër të madh të votave në zgjedhjet parlamentare. Hungaria është një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që do të thotë se Putini mund të pretendojë se ka një mik në krye të dy prej institucioneve që i urren, raporton cnn.
Të dielën mbrëma, gjatë fjalimit të tij të fitores, Orban zemëroi jo vetëm Bashkimin Evropian, por edhe Ukrainën.
“Do ta kujtojë këtë fitore deri në fund të jetës sonë, sepse na u desh të luftonim kundër një numër të madh të kundërshtarëve”, tha ai teksa në listën e të “urryerve” ka përfshirë burokratët e Brukselit, mediat ndërkombëtare dhe, pa dyshim, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ky i fundit e ka kritikuar drejtpërdrejt Orbanin se nuk po e mbështet aq sa duhet Ukrainën sikurse homologët evropianë.
Ndërkohë, Putin ia uroi fitoren Orbanit.
Por pak besojnë se kjo do të jetë shumë më tepër se një fitore simbolike dhe se kjo do të ndikojë në vendosmërinë e BE-së për Ukrainën.
Realiteti është se Orban pritej të fitonte dhe BE-ja ka vite që punon rreth udhëheqjes së tij. Pavarësisht se u ka zvarritur punët evropianëve, Orban ka ndjekur sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe ka qenë kryesisht në përputhje me pjesën tjetër të aleancës perëndimore. Blloku kryesor i Hungarisë në drejtim të mbështetjes së Ukrainës ka qenë ngurrimi i Orbanit për të lejuar që armët e perëndimit të kalonin nëpër vendin e tij për të mbështetur trupat ukrainase.
Hungaria është gjithashtu pengesa kryesore në bisedimet e BE-së për ndalimin e importeve të energjisë nga Rusia. Gjermania tha gjatë fundjavës se bllokut i duhej të diskutonte një ndalim të gazit rus pas raporteve për krime lufte të kryera në Ukrainë – një lëvizje që Orban e ka përjashtuar vazhdimisht.
Kokëfortësia e Hungarisë ka mërzitur aleatin kryesor Poloninë, shkelësin tjetër kryesor të sundimit të ligjit në Evropë, e cila ka përdorur të drejtën e vetos për të mbrojtur Orbanin nga ndëshkimet e BE-së shumë herë në vitet e fundit. Është e paqartë nëse Polonia do ta bëjë këtë pas përfundimit të luftës.
Situata është shumë e ndryshme në Serbi, pasi ajo nuk është anëtare e BE-së apo NATO-s. Aktualisht po kalon procesin e anëtarësimit në BE, me negociatat që pritet të përfundojnë në dy vitet e ardhshme.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vënë në një pozitë të vështirë nga pushtimi rus në Ukrainë.
Për vite me radhë, ai është përpjekur të balancojë ruajtjen e lidhjeve të forta diplomatike dhe ekonomike me Rusinë (dhe një dashuri të veçantë për Putinin) me përqafimin perëndimor që do të vinte me anëtarësimin e plotë në BE.
Gjatë fushatës zgjedhore, Vuçiq nuk devijoi nga ky ekuilibër dhe kandidoi me një platformë të paqes dhe stabilitetit në rajon, raportoi Reuters.
Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, ndërsa ushtria e saj mban lidhje me ushtrinë ruse.
Edhe pse Serbia mbështeti dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, ajo refuzoi të vendosë sanksione kundër Moskës.
Kremlini gjithashtu mbështet kundërshtimin e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës duke bllokuar anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Putin gjithashtu e urori për fitoren mikun e tij, Vuçiq.
Ndryshe, nuk ka dyshim se rezultatet e zgjedhjeve të fundjavës – veçanërisht në Hungari – do të kenë bërë që Putini të buzëqeshë dhe udhëheqësit në Bruksel të mbajnë “kokën me duar”.
Për BE-në, fitorja e Orbanit do të thotë pak a shumë e njëjta gjë. Ai mund t’i sigurojë Putinit disa fitore propagandistike dhe mund të vendosë frena në planet më të gjera të BE-së në të ardhmen.