Ambasadori austriak Christoph Weidinger ka thënë se vendi i tij është investitori i katërt më i madh në Kosovë.
Weidinger në një intervistë për Telegrafin, thekson se kompanitë austriake në Kosovë kanë krijuar rreth 2,500 vende pune.
“Austria kryen gjithashtu projekte për fuqizimin e grave, zhvillimin rural dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Për më tepër, marrëdhëniet në biznes janë zhvilluar shumë mirë. Austria është investitori i katërt më i madh në Kosovë, ndërsa nga kompani austriake janë krijuar rreth 2,500 vende pune”, tha Weidinger.
Ai është shprehur se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyeshme në shuma fusha të rëndësishme.
Weidinger tregon se gjatë muajit prill në Prishtinë do të mbahet Forumi i Biznesit Kosovë-Austri.
“Marrëdhëniet tona dypalëshe janë shumë të ngushta, ne përpiqemi t’i intensifikojmë ato edhe më tej. Në fushën e zhvillimit ekonomik, për shembull, më 21 dhe 22 prill, në Prishtinë do të mbahet Forumi i Biznesit Kosovë-Austri. Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për bizneset austriake dhe kosovare, që të shtjellojnë mundësitë e biznesit në dobi të të dyja palëve. Do të marrin pjesë investitorë potencial austriakë, të cilët janë aktiv në dhjetë sektorë të ndryshëm”, shprehet ai.
Në këtë intervistë, Weidinger ka folur edhe për aktualitetin politik në Kosovë si dhe për rolin e ndihmën e shtetit të tij në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.