Anësori kosovar Edon Zhegrova është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme me skuadrën e tij të re Lille në Francë.
Depërtimet dhe shënimi i golave të bukur është ajo që po e përcjellë lojtarin në fjalë në këto javët e fundit gjë që ka bërë që mediat e huaja ta kthejnë vëmendjen tek ai duke shkruar për karrierën dhe ecurinë e tij që nga fëmijëria.
Një artikull special Zhegrovës ia ka kushtuar edhe gazetari i njohur italian Gianluca Dimarzio i cili e nis shkrimin duke e cilësuar golin e tij të së dielës si më të mirin e javës në Ligue 1.
“Si fëmijë e quanin ‘Messi i Kosovës’ dhe në moshën 12-vjeçare u zgjodh ndër më të mirët e kampit të Milanos në Prishtinë. Sot ai përpiqet të lansohet në Lille”, fillon shkrimi i Di Marzios.
“Në ditën e Ligue 1 në të cilën u shënuan më shumë gola në të gjithë sezonin (38), më të bukurin e shënoi Edon Zhegrova i Lille. Goditja e tij me këmbën e majtë merr një trajektore të çuditshme dhe përfundon në rrjetë në stilin ‘alla-Robben’. Nuk është hera e parë që ai shënon kështu në karrierën e tij”.
“Zhegrova është një talent i ri i lindur në vitin 1999 nga i cili prej vitesh shumë kanë pritur prej tij. Kur ishte fëmijë ai e çmendi gjithë Kosovën (vendin ku u rrit): gazetat vendase e quanin “Mesi ynë”, thuhet më tutje në shkrimin e Di Marzios.
Më pas përshkruhet rrugëtimi i Zhegrovës nga lindja e tij duke përmendur faktin që prindërit e tij shkuan në Gjermani për të shpëtuar nga lufta.
“Ai lindi më 31 mars 1999 në Herford (Gjermani), ku prindërit e tij ishin vendosur për t’i shpëtuar luftës ballkanike. Zhegrova, tani 23 vjeç, mund të kishte luajtur me katër kombëtare: Gjermaninë, vendlindjen e tij, Shqipërinë prej nga janë prindërit, Belgjikën, ku u vendos që në moshën 15-vjeçare dhe Kosovën, kombëtaren. të cilën më pas zgjodhi ta përfaqësonte”.
“Zgjedhja e zemrës. Si fëmijë ai konsiderohej si një nga talentet më të mëdhenj në vend. Krahasimet u dyndën pa filtra, por në fushë ai tregoi vërtet gjëra të pazakonta. Prekje elegante e topit, driblime poshtëruese, ftohtësi në zgjedhje, aftësi gjuajtjeje dhe mbi të gjitha altruizëm, që nuk është diçka e vogël për një djalë dymbëdhjetë vjeçar”.
“Në YouTube ka ende video me bëmat e tij kur kishte veshur fanellën e kuqezinjve të Flamurtarit, një klub profesionist në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës”, vazhdon historia e shkruar nga Di Marzio për yllin dardan.
Në vazhdim, shkrimi vë në pah hapat e parë të Edon Zhegrovës, talentit që doli në pah pasi skuadra italian Milan organizoi një kamp në Prishtinë dhe aty Zhegrova shfaqi talentin e tij të madh.
“Nga një fanellë kuqezi në tjetrën. Në verën e vitit 2012. AC Milan organizon kampin e Milan Junior pikërisht në Prishtinë. Një mundësi për të zgjeruar markën, për të argëtuar fëmijët dhe pse jo, për të zbuluar talentet e zonës. Aty ishte Edon Zhegrova i cili mahnitë skautët e skuadrës italiane aq sa zgjidhet lojtari më i mirë i javës dhe ftohet të luajë një ndeshje miqësore në “San Siro” së bashku me moshatarët e tjerë të përzgjedhur. Një emocion unik që jeton falë talentit të tij. Klubi kuqezi, megjithatë, nuk e blen kartonin e tij. Zhegrova niset për në Belgjikë dhe aty do të fillojë të luajë me profesionistët. Standard Liège, Sint-Truiden, pastaj Genk dhe më vonë Basel, kurse sot luan për Lille”, vijon më tutje artikulli.
Në fund Di Marzio, duke theksuar faktin se nga Ligue 1 kanë dalur talentë si Nicolas Pepé, Osimhen, Jonathan David, Leao, Botman, Maignan, Renato Sanches, tërheq vëmendjen se Milani mund të jetë duke mbajtur një sy mbi Zhegrovën dhe se mundësia që ai të rikthehet në “San Siro” është shumë e madhe.