Një shtetas italian, i cili përndiqte prej shumë kohësh një diplomate të ambasadës së BE-së në Tiranë, është arrestuar të mërkurën.
Personi i ndaluar është Matteo Gioachin, me kombësi italiane, por me banim në Londër, Angli. Gioachin, kishte udhëtuar nga Anglia në Shqipëri vetëm për të takuar dhe krijuar një lidhje intime me zyrtaren e ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë.
Sipas kallëzimit të bërë nga diplomatja Franceska Renzi, Gioachin e ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme kur ka qenë diplomate edhe në disa shtete të tjera, kryesisht në vende publike si rrugë, bare apo restorante.
Por nuk mungonin dhe shqetësimet përmes telefonin dhe adresës së e-Mailit.
Sipas kallëzueses, kjo histori përndjekje ka disa vite që ka ndodhur dhe ka filluar në qytetin e Padovës në Itali, duke vijuar më pas të përsëritet edhe në shtete të tjera, ku ajo ka shërbyer si diplomate.
Matteo Gioachin ndodhet tashmë pas hekurave, teksa ka qenë gjykata e Tiranës e cila ka vendosur të caktojë masën e “arrestit në burg” 40 ditor për personin e ndaluar.