Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdon t’i shikojë vendet e Ballkanit Perëndimor si vende të përkohshme – por theksoi se Kosova do të qëndrojë si komb i pavarur dhe sovran.
Në një lidhje direkte me gazetaren e CNN, Christiane Amanpour, Osmani foli për krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë, krimet në fshatin Poklek, ku tha se ka qenë së fundmi.
Për agresionin rus në Ukrainë tha se imazhet e Ukrainës, ngjajnë me ato që populli i Kosovës i ka kaluar dy dekada më parë.
“Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane dhe të gjalla demokratike. Imazhet që shohim në Ukrainë për shkak të agresionit rus kundër popullit të pafajshëm janë një kujtesë e rëmdë e asaj që ne duhej të kalonim”, tha Osmani.
Tutje theksoi se në 10 vitet e fundit Serbia ka arritur që të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë.
“Vetëm një shembull, 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit”, u deklaroi ajo.
Osmani shprehu shqetësimin edhe për blerjen e armëve nga Serbia.
“Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë si dhe Serbisë dhe Kinës dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë”.
Sipas saj, sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë bëjnë përpjekje destabilizuese ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Serbia vazhdon të na shohë si shtete të përkohshme, çka qartazi nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane, dinamike dhe demokratike”.
Presidentja tha se Kosova do ta mbrojë atë çfarë ka arritur dhe është gati të paguajë çfarëdo çmimi për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran.