Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të mblidhet këtë të mërkurë pasdite në New York, për të shqyrtuar raportin e radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres rreth punës së UNMIK-ut.
E një mbledhje e tillë nuk do të mbahej fare po të përfillej kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e liderëve politikë në Kosovë për largimin e këtij misioni.
Përfaqësuesi i SHBA-së, Jeffrey DeLaurentis, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në tetor, pati kërkuar që të përmbyllet misioni i UNMIK-ut në Kosovë, pasi “e ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal”.
“Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij”, pati thënë ai.
Një thirrje të tillë e pati ripërsëritur edhe ambasada amerikane në Prishtinë, duke e cituar DeLaurentis.
Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u pati bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që buxhetin të cilin e shpenzojnë për UNMIK-un ta përdorin për diçka tjetër, më të dobishme.
Roli i UNMIK-ut është zbehur pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në vitin 2008.
Megjithatë, ky mision pritet të operojë edhe për një kohë në territorin e Kosovës, pasi për ndryshimin e mandatit të tij duhet një vendim nga Këshilli i Sigurimit.
“Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton mandatin e pranisë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë. Çdo rregullim i këtij mandati kërkon një vendim nga Këshilli i Sigurimit”, tha Sanam Dolatshahi, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin.
Në këtë fazë ndryshimi apo ndërprerja e mandantit të UNMIK-ut sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është çështje komplekse dhe nuk varet nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Kjo pasi për shfuqizimin e Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit duhen edhe vota e Rusisë dhe Kinës si anëtare të përhershme të OKB-së – shtete këto që janë kundër largimit të UNMIK-ut nga Kosova.
“UNMIK mandatin e saj e ushtron në bazë të Rezolutes 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Sikurse ndryshimi i mandatit të këtij misioni apo edhe ndërprerja e të njëjtit mund të ndodh vetëm përmes ndryshimit apo shfuqizimit të Rezolutës 1244 nga vet Këshilli i Sigurimit të OKB, ku duhen edhe votat e Rusisë apo Kinës, apo me kusht që Kina dhe Rusia nuk vendosin të drejtën e Vetos”.
“Në këtë drejtim, në këtë fazë ndryshimi apo ndërprerja e mandatit të UNMIK është një çështje komplekse dhe e ndërlikuar që nuk varet nga institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Miftaraj për Telegrafin.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi
Njëjtë mendon edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, i cili thotë se pa u arritur një darkordim mes vendeve anëtare të përhershme në KS, kjo çështje nuk mund të zgjidhet.
“Bota perëndimore konsideron që UNMIK-u e ka përmbushur mandatin e vet, e nuk është e nevojshme që të qëndrojë më tutje. Të njëjtin mendim e ka edhe Kosova. Por, Rusia dhe Kina faktikisht nuk mendojnë kështu”, deklaroi Hajrullahu për Telegrafin.
“Ne e dimë që misioni bazohet në rezolutën 1244 dhe pa pajtimin e vendeve anëtare të përhershme të OKB-së mandati i këtij misioni nuk mund të ndryshohet. Për momentin nuk duket askund në horizont që do të vie deri te një zhvillim i tillë”.
Profesori universitar, Arben Hajrullahu
Duke qenë se kryeministri Albin Kurti, ishte kundërshtari më i madh i UNMIK-ut, Telegrafi ka provuar të kontaktojë me Zyrën e Kryeministrit për të marrë një qëndrim të Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë çështje, por ka qenë e pamundur.
Nga viti 1999, bazuar në Rezolutën 1244, UNMIK-u ka raportuar mbi situatën në Kosovë në periudha të rregullta tremujore.
Së fundmi, pas kërkesës së diplomatëve kosovarë në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjes së këtij shteti, si dhe të Mbretërisë së Bashkuar, raportimet tani bëhen dy herë në vit.
Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u zhvillua më 15 tetor dhe aty shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, akuzoi institucionet e Kosovës për shkaktimin e tensioneve në komunat në veri të vendit, të banuara me shumicë serbe.