Një delegacion prej 53 afaristësh nga Gjermania janë duke qëndruar në Kosovë, ndërsa po shoqërohen nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Një ditë më parë delegacioni u takua me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili tha se të gjithë popujt demokratik duhet të jenë sa më të bashkuar në vitet e ardhshme në mënyrë që të tejkalohen krizat të cilat do të jenë si pasojë e invazionit të Rusisë në Ukrainë.
Konjufca po ashtu u shpreh para këtij delegacioni se Kosova e sheh shtetin gjerman si partner shumë të rëndësishëm.
“Lufta për shkak të invazionit të tmerrshëm të Rusisë po tregon që në vitet e ardhshme e gjithë bota do të përballet me një krizë e cila do ta prek edhe vendin tonë por edhe çdo vend të botës, sidomos… të energjisë dhe gazit për shkak të përpjekjes së Evropës, përpjekjes shumë të drejtë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë prej burimeve ruse të energjisë, do të ketë impakt në ekonominë botërore por kjo është një rrugë të cilën do ta kalojmë të gjithë së bashku”, ka thënë ai.
Ai para delegacionit gjerman tha se është e domosdoshme që vendet demokratike duhet të punojnë së bashku në organizimin e ekonomisë, duke i lidhur interesat ekonomike sa më shumë.
Ndërsa, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka thënë se diplomacia ekonomike mbetet padyshim njëri nga prioritetet e politikës së jashtme.
Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka treguar se ky delegacion do të qëndrojë në Kosovës prej tre ditësh, pasi siç u shpreh ai Kosova përpos që është një mjedis tërheqës për biznese të ndryshme, do të jetë edhe një destinacion me perspektivë për investimeve të kompanive gjermane dhe ndërkombëtare.
“Diplomacia ekonomike mbetet padyshim njëri nga prioritetet e politikës sonë të jashtme. Një delegacion ekonomik nga Gjermania 🇩🇪 në përbërje prej 53 afaristëve të fushave të ndryshme do të qëndrojnë për një vizitë tre ditore në Kosovë. Republika e Kosovës 🇽🇰 përpos që është një mjedis tërheqës për biznese të ndryshme, ajo do të jetë një destinacion me perspektivë për investimeve të kompanive gjermane dhe ndërkombëtare. Së bashku me Konsullin e Republikës së Kosovës në Stuttgart, Besnik Miftaraj, do t‘i shoqërojmë nëpër takime e vizita të ndryshme”, ka shkruar ambasadori Ajeti në Facebook.
Gjithashtu edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare e ka pritur delegacionin gjerman.
U diskutua edhe në lidhje me Forumin Gjermano-Kosovar që do të organizohet më 05-07 korrik 2022.
Delegacioni gjerman u shoqërua nga zëvendës ambasadori gjerman Jan-Axel Voss dhe drejtoresha menaxhuese e OEGJK-së, Nora Hasani.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla të premten i ka pritur në një takim delegacionin e afaristëve gjermanë.