Ka nisur punën Komisioni hetimor, në të cilin po pyetet presidenti Ilir Meta. E para që i ka drejtuar pyetjet ka qenë deputetja Klotilda Bushka.
“Dua të bëj qartë që shfuqizimi i datës 30 qershor është udhëhequr nga përgjegjësitë e mia si president i vendi edhe si përfaqësues i popullit”, tha Meta duke i kthyer përgjigje Bushkës për nxjerrjen e dekretit mbi anulimin e zgjedhjeve vendore.
“Presidenti nuk ka pasur shqetësim të plotësojë tekat e opozitës, por ka dashur të garantojë një proces gjithë përfshirës në votime”, tha Meta më tej.
Presidenti shpjegoi më tej se e ka bërë këtë edhe për: “Por kjo ka qenë një përpjekje e sinqertë për shmangien e një përplasje civile që ka të bëjë me shmangien e një penalizimi afat gjatë për çeljen e negociatave.
Ishte një krizë e tmerrshme përfaqësimi për shkak të dy palëve. Qëllimi im kanë qenë zgjedhjet gjithë përfshirëse”, tha Meta.
“Kush tha se zgjedhjet lokale nuk mund të zhvilloheshin brenda muajit korrik nëse do të kishte vullnet politik? Ky ka qenë vullneti im që zgjedhjet të zhvilloheshin sa më shpejtë.” Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në Komisionin Hetimor që po shqyrton shkeljet e pretenduara të Kushtetutës me shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.
Por sa i përket përpjekjes të tij për të ulur në dialog palët përpara se të shfuqizonte datën e zgjedhjeve, Meta tha se kjo nuk u bë e mundur për shkak të dy pengesave kryesore: “Kokëfortësia e kryeministrit për të mos shtyrë 30 qershorin dhe e dyta, kokëfortësia e kryetarit të PD për të mos u ulur në tryezë me Ramën kryeministër.”
“Ishte një situatë e çmendur ku asnjë prej palëve nuk mbante përgjegjësi”, tha Meta, duke shtuar se ishte detyra e tij si President për të shmangur një konflikt civil./ATSH/