Dy ukrainas janë dënuar me tre vjet burg nga një gjykatë në Middelburg, Holandë, pasi ndaj tyre rëndonte akuza e kontrabandimit të 11 shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
Mirëpo, diçka e pazakontë ka ndodhur: dy burrat, të shpallur fajtorë, i kanë liruar më pas, me qëllim që ata të mund të ktheheshin në vendlindje, për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.
Gjithçka u zbulua nga gjyqtarët në Holandë.
Gjykata në Breda, qytet në kufi me Belgjikën, i kishte liruar në mënyrë që ata të mund të ktheheshin për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë – që do të thotë se të dyshuarit u dënuan në mungesë.
Në seancën e marsit, gjykata konstatoi se nëse i dyshuari ka “rrethana të veçanta, apo të rënda”, paraburgimi mund të pezullohet.
Në funksion të luftës në Ukrainë dhe apelit të qeverisë ukrainase që qytetarët të mbrojnë vendin e saj, të dyshuarit u liruan për të luftuar.
Megjithatë, dy burrat 27 dhe 29 vjeç, nga qyteti i Lutsk në Ukrainën Veriperëndimore, tani janë shpallur fajtorë për vënien në rrezik të jetës së një grupi shqiptarësh dhe janë dënuar me burg.
Ata u zbuluan teksa drejtonin një skaf me 11 shqiptarë në bord, natën e 24 shtatorit 2021dhe më pas u mbajtën në paraburgim për gjashtë muaj.
Gjykata në Middelburg i shpalli ata fajtorë për abuzim me shqiptarët në një pozitë të cenueshme dhe rrezikshme të jetës së tyre, pasi anija nuk kishte pajisje shpëtimi apo mjete për të sinjalizuar ndonjë avari, ndërsa lundronte në zonë të ngarkuar me rryma të forta detare.
Burrat, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik, mendohet se po luftojnë në Ukrainë dhe gjykata holandeze tha se nuk pret që ata të vuajnë dënimin e tyre.
Në fillim të këtij viti, një zëdhënëse e gjykatës për Fondacionin Holandez të Transmetimit (NOS) tha se ata do të arrestoheshin nëse do të përpiqeshin të hynin përsëri në Holandë.